Policia e Shtetit ka marrë masa të shumta për të përballuar fluksin e lartë të pasagjerëve gjatë periudhës së festave të fundvitit. Shërbimi i Policisë Kufitare ka punuar intensivisht për të eliminuar radhët dhe për të krijuar lehtësira për kalimet në hyrje dhe dalje të vendit. Po ashtu, janë shtuar masat për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë që mund të shfrytëzojnë fluksin e pasagjerëve.
Në kuadër të këtyre masave, Policia Kufitare ka arritur të kapë dhe të ndalojë dy shtetas që ishin shpallur në kërkim për vepra penale të ndryshme.
D.D., 26 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim për "Plagosje të rëndë me dashje" të kryer në bashkëpunim. L. L., 46 vjeç, banues në fshatin Vasjar, Memaliaj, i shpallur në kërkim për "Largimin e të burgosurit nga vendi i qëndrimit". Ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat penale "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale". Veprimet procedurale për këta shtetas do të kryhen nga DVP Tiranë dhe Stacioni i Policisë Memaliaj.
/rtsh.al/