RTSH 24 Live

Aktualitet

Arrestimi i ish-anëtarit të UÇK-së/ Prokuroria e Tiranës: Do të ekstradohet drejt Kosovës 

31/07/2023

Arrestimi i ish-anëtarit të UÇK-së/ Prokuroria e Tiranës: Do të ekstradohet drejt Kosovës 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në një deklaratë për mediat ka reaguar mbi arrestimin e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj.

Prokuroria thekson se ai do të ekstradohet drejt Kosovës në përfundim të procedurave, ndërsa rendit akuzat që rëndojnë mbi të nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Gjykatësi i Vetëm ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se shtetasi D.G., mban përgjegjësi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, konkretisht për frikësim gjate procedurës penale dhe pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht në bazë të nenit 387 dhe nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 (Ligji nr. 06/L-074), sikurse përcaktohet në nenin 15(2) te Ligjit.

Në vijim do të realizohet procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria shpjegon më tej se “në kuadër të “Kërkesës se Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, u realizua ekzekutimi i letërporosisë për dhënien e ndihmës juridike Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, për llogari të procedimit penal në ngarkim të shtetasit D.G., për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, prokuroria nënvizon se është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë “për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj shtetasit D. G., me qëllim ekstradimin, si dhe është ushtruar kontroll në vendin e banimit të tij”.

Këto veprime procedurale janë kryer në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike, për shkak se Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletëarrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Uleta (‘shteti prites’).

Gjithashtu, Gjykatësi i Vetëm autorizoi kontrollimin e z. D.G., të vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin e materialeve gjate kontrollimit të tyre (‘Urdhri për Autorizimin e Kontrollimit dhe Sekuestrimit’), shkruhet më tej në njoftimin e prokurorisë.

/rtsh.al/