RTSH 24 Live

Aktualitet

Arrestimi i Gëzim Çelës/ Detaje nga dosja dhe mënyra si u kap në Kosovë "koka" e trafikut të heroinës në Evropë

09/12/2023

Arrestimi i Gëzim Çelës/ Detaje nga dosja dhe mënyra si u kap në Kosovë "koka" e trafikut të heroinës në Evropë

Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë zyrtare në lidhje me arrestimin e 55-vjeçarit Gëzim Çela, i konsideruar si “Baroni i Drogës dhe i shpallur në kërkim nga SPAK, teksa ishte dënuar me burg dhe nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, si dhe nga drejtësia italiane.

 Policia e Kosovës bën me dije se Gëzim Çela është arrestuar rreth orës 17:55 në fshatin Dardani të Ferizajt, teksa ndodhej në banesën e shtetasit nga Kosova me inicialet A.I. Ky i fundit dyshohet se e ka strehuar për një kohë të gjatë në banesën e tij Gëzim Çelën.

Gjithashtu, në njoftim bëhet me dije se në momentin e arrestimit, Gëzim Çela, përveç shtetasit kosovar, shoqërohej edhe me dy vajza nga Shqipëria, të cilat ndodheshin në banesë me ta.

Gjatë kontrollit të banesës, uniformat blu kanë gjetur dhe një armë zjarri automatik AK-47 me 15 fishekë. GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, Gëzim Çelës për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

 Gjithashtu, ai është dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake”. Po ashtu, në vitin 2012, autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Organizator i migrimit ilegal” dhe “Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh/