Opozita ka zhvilluar sërish një protestë para Bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Eriona Veliaj , pas arrestimit të disa zyrtarëve të bashkisë të përfshirë në korrupsion lidhur me çështjen “5D”. Protesta është përshkallëzuar, ku protestuesit u përplasën me policinë, ndërsa disa prej tyre kanë hedhur edhe molotov drejt bashkisë.
Deputetë të opozitës si Albana Vokshi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Luçiano Boçi etj. ishin të pranishëm në protestë, ndërsa protestuesit kërkonin që t’i jepej fund vjedhjeve në këtë institucion.
Rreth Bashkisë Tiranë është krijuar një kordon për të parandaluar incidentet, ndërsa protestuesit kërkojnë largimin e Erion Veliajt.
Lidhur me arrestimin e disa zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, ku sipas SPAK kanë abuzuar me tenderat, këshilltarët e opozitës kanë depozituar dy kërkesa në Këshillin Bashkiak, ku kërkojnë hetim ndërkombëtar lidhje me dosjen “5D” dhe taksat e bashkisë.
Protesta vjen pas arrestimit të 3 ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, ky i fundit i arrestuar më herët edhe për dosjen e inceneratorëve, për abuzim me tendera duke favorizuar kompaninë “5D” që vetë drejtonin. Gjithashtu 6 zyrtarë të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.
SPAK pretendon se pronarë indirekt të kësaj kompanie janë dy ish- drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato dhe kjo kompani rezulton të ketë fituar miliona lekë në tenderat nga institucionet që vetë drejtonin.
/rtsh.al/