Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka arrestuar dhe po heton një numër të konsiderueshëm politikanësh nga radhët e PS-së, por për kryeministrin Edi Rama kjo është arsye krenarie për të dhe jo për t’u ndjerë përgjegjës moralisht.
Nga Selaniku, ku zhvilloi takim me shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj, kreu i qeverisë tha se PS-ja “ishte e vetëdijshme për dhimbjet që reforma në drejtësi do të sillte”. Ai theksoi se arrestimet e SPAK janë “prova reale” e një luftë kundër korrupsionit.
“Opozita thotë që unë duhet të ndjehem përgjegjës moralisht pse opozita ka akuzuar apo dënuar individë të lidhur me pushtetin e PS. Në fakte kundërta ndodh me mua. Natyrisht që nuk mund të më vijë mirë për arsye njerëzore dhe personale, por unë jam krenar që me një vizion shtet bërës dhe vullnet të hekur politik, PS plotësisht të vetëdijshëm për dhimbjet që do të sillte një reformë e tillë, ja hoqi duart e pushtetit politik drejtësisë nga qafa dhe i dha lirinë e nevojshme për të vepruar duke parë vetëm drejtë. Përgjegjësia ime morale do të ishte jashtëzakonshme nëse, pasi ju kam kërkuar votën për të bërë një reformë në drejtësi, sot do të isha këtu dhe ju nuk shikonit asnjë fakt konkret të luftës kundër korrupsionit. Ndërkohë që sot faktet e një lufte reale kundër korrupsionit i keni para syve dhe për këtë arsye unë ndjehem moralisht shumë mirë kur përballem me ju dhe ju them kjo është tjetër arsye madhore pse vota e pranverës së ardhshme duhet t’i garantojë Shqipërisë udhëheqjen e PS në mënyrë që kjo që ka filluar me drejtësinë të garantohet dhe të mos kthehet përsëri mbrapa”, tha Rama.
Pavarësisht sukseseve të reformës në drejtësi, Rama tha se është gabim të mendohet se kjo është një arritje që nuk mund të rrezikohet, duke e konsideruar PS-në si të vetmen forcë politike që, sipas tij, siguron konsolidimin e saj.
“Sot askush më nuk është i paprekshëm dhe cilido nga radhët tona që kërkohet nga drejtësia përballet me drejtësinë dhe nuk mbrohet duke i hedh mbi kokë flamurin e PS. Ky është investimi më i madh i PS të shekullit të ri dhe kjo e drejtësisë është shprehja e besnikërisë sonë ndaj atyre që na e kanë dhënë votën tre herë rresht sepse çfarë e kemi thënë e kemi bërë. Askush mos gabojë duke menduar se barazia para ligjit që ka nisur më në fund të vlejë njësoj është një arritje që nuk rrezikohet më. Për ta konsoliduar ka vetëm një garanci të mundshme, forca udhëheqëse e PS-së”, theksoi ai.
/rtsh.al/