Vizita në Muzeun e Fotografisë “Marubi” në Shkodër përbën një udhëtim të paharrueshëm nëpërmjet fotografive të mrekullueshme të dinastisë Marubi. Çdo imazh i kapur nga këta mjeshtra të fotografisë na tregon një histori, një moment të veçantë të jetës dhe kulturës shqiptare që sot është një pasuri e çmuar për çdonjërin nga ne. Proceset që i shërbejnë ruajtjes së saj si: konservimi, katalogimi, digjitalizimi dhe regjistrimi pranë IKTK janë më të rëndësishmit.
“Procesi i katalogimit është me po të njëjtin ritëm me procesin e digjitalizimit dhe në një përqindje shumë më të lartë është procesi i konservimit ku thuajse është konservuar pothuajse 70% e konservimit të ri”, u shpreh Lucjan Bedeni, Drejtor, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.
Koleksioni i përhershëm vendas ishte ai që mori vëmendjen më të madhe të 23 mijë vizitorëve gjatë vitit të kaluar, i cili shënoi rekord historik për muzeun.
“Përgjithësisht vizitorë të cilët e shohin muzeun për herë të parë kanë një interes më së shumti për koleksionet vendase”, u shpreh Bedeni.
Koleksioni i Muzeut “Marubi” përmban mbi 500,000 negativë në xham dhe celuloid, duke e bërë një nga arkivat më të pasura të fotografisë në Europën Juglindore. Në programin e këtij viti kalendarik, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” pritet të çelë një ekspozitë jashtë Shqipërisë, e cila parashikohet të mbahet në muajin shtator.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/