RTSH 24 Live

Muzikë

Anxhela Peristeri në "Një natë sa një jetë" – Artiste në skenë, mike në jetë

11/02/2024

Anxhela Peristeri në "Një natë sa një jetë" – Artiste në skenë, mike në jetë

Prej 23 vitesh si profesioniste e muzikës, këngëtarja Anxhela Peristeri e ndez skenën me zërin dhe energjinë e saj.

Ajo u shfaq të dielën në "Një natë sa një jetë", emisionin në RTSH dedikuar artistëve që kanë firmosur copëzat me ngjyra në telajon e artit shqiptar.

Peristeri është fituese e disa çmimeve të para, duke triumfuar edhe në Festivalin e 59 të Këngës në RTSH me këngën "Karma".

Rrugëtimi i saj në art nisi herët që kur prindërit vunë re prirjen e saj për skenën dhe muzikën.

"Që 6 vjeçe kam filluar të këndoj dhe t'i bie violinës. Faktikisht që kur kam qenë 2-3 vjece, mami dhe babi kishin kuptuar prirjet e mia muzikore. Atëkohë më çuan te një dirigjent, Boris Plumbi, i cili më dëgjoi veshin muzikor dhe konstatoi që duhet të futesha në një shkollë muzike. Kështu prindërit vendosën që në moshën 6-vjeçare të më fusnin në degën e violinës në shkollën 'Tefta Tashko Koço' në Korçë. 6 vjeçe fillova edhe rrugëtimin e tij muzikor jo vetëm si violiniste, por edhe si soliste e korit të shkollës dhe pastaj pjesëmarrëse në festivalet e të rinjve të Korçës," tregoi artistja.

Artistja me zërin brilant ndau kujtimet përballë miqve artistë dhe të pathënat e paskuintave.

Familja ka qenë mbështetësja kryesore në karrierën e Peristerit, por që artistja zbuloi se shpesh nuk e lejon ta ndjekë në koncertet e saj.

"Nuk dua që ata të vijnë nëpër koncertet e mia, sepse unë emocionohem shumë. Sa herë që i kam përballë e kam të vështirë të këndoj. Nëse doni që ndonjëherë ta humbas në skenë, më vini prindërit përpara. Ata kanë ardhur vetëm në koncertet recitale që kam bërë para dy vjetësh dhe prapë e kam pasur të vështirë. U thashë 'vetëm do qeshni dhe do duartrokisni, nuk dua emocione'," tha këngëtarja.

Në karrierën e Peristerit është folur kryesisht për muzikën e saj dhe pak njihet jeta private e artistes apo historitë rozë që bëjnë aq zhurmë sa e tejkaluar vetë artin.

"Sidomos në kohët e sotme, historitë rozë bëjnë bujë dhe shumë bëhen të famshëm vetëm nga këto histori, por ky nuk ka qenë asnjëherë synimi im që të arrij majat apo deri aty ku do arrij nëpërmjet historive rozë. Unë besoj që puna dhe talenti im mjaftojnë," u shpreh ajo.

Artet shpirtërore, siç është muzika, janë sfiduese dhe plot pengesa për ata që futen në këtë marrëdhënie.

"Të ecësh në karrierë duhet shumë punë, përveç talentit, dhe një mbështetje ekonomike. Duhet punuar fort, të dish të investosh, të dish çfarë do të krijosh dhe me kë do të bashkëpunosh, të kesh stomak shumë të fortë për të përballuar gjithë bërrylat që vijnë rreth e përqark, dhe këtë duket se e kam bërë mirë," tha Peristeri.

Rikthimi në Shqipëri pas 7 vitesh largimi drejt Greqisë e rriti artistikisht Peristerin dhe e forcoi profesionalisht. "Mosmirënjohjen nuk do ta falja. Është gjëja që më bezdis më shumë te të tjerët," tha ajo.

Projekti i ardhshëm i Peristerit pritet të jetë i "madhërishëm, spiritual" dhe do të bëhet publik më 14 shkurt.

"Është një bashkëpunim me një nga kompozitorët më me emër të muzikës greke. Ai është edhe kompozitori i hitit 'Athina moi', që po dëgjohet shumë në Shqipëri. I kam kushtuar një vëmendje të veçantë këtij projekti, sepse doja që të vija me një këngë greke që kaq shumë e kam pritur," tha Peristeri.

Në emisionin e së dielës, të ftuar ishin edhe miqtë e Anxhela Peristerit: Aurel Thëllimi, Ronela Hajati, Blerina Braka, Julinda Lutovac, Ori Kuçi dhe Ardit Çuni.

/rtsh.al/