Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të sjellë për publikun artdashës një koncert dedikuar një prej figurave më të rëndësishme të valles popullore, mjeshtrit Rexhep Çeliku. Koncerti do të vijë si një homazh për trashëgiminë e tij të vyer, e cila do të trashëgohet ndër breza.
“Është një shfaqje e ndërtuar në formën e një gala-je të madhe, ku përveç numrave artistik, valleve kryesisht në veprimtarinë e profesor Celikut dhe në rolet e tij solistike gjatë të gjithë këtyre viteve do të kemi dhe pjesën histori”, u shpreh Sokol Marsi, Drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve.
Koncerti do të shoqërohet edhe me këngë të përzgjedhura.
Në skenë do të ngjitet gjithashtu bilbili i këngës popullore, Irini Qirjako. Ajo e përshkruan Çelikun jo vetëm si artist të vërtetë por edhe si një njeri human me të cilin kanë ndarë skenën si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Do të vij me këngën gjirokastrite që Rexhep Çeliku e donte shumë”, u shpreh këngëtarja e njohur Irini Qirjako.
Për më të rinjtë e Ansamblit është sfidë dhe emocion të interpretojnë vallet e mjeshtrit Rexhep Çelikut.
“Është një shfaqje që ne e preshim prej kohësh, nuk është bërë asnjëherë qëkur profesori u nda nga jeta”, u shpreh valltari Rei Berisha.
Rexhep Çeliku është vlerësuar me çmime të shumta, gjithashtu ka marrë titullin ‘Mjeshtër i Madh’ me motivacionin "për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj në breza duke ruajtur origjinalitetin".
Çeliku u nda nga jeta në moshën 62-vjeçare.
/rtsh.al/