Kryebashkiaku Erion Veliaj ka dalë para gjyqtarëve të Apelit të GJKKO-së për shqyrtimin e ankimimit të tij për masën e sigurisë të arrestit me burg.
Në nisje të seancës së sotme, Joshua Roberts, avokati amerikan i Veliajt nuk është lejuar të marrë pjesë në seancë në rolin e vëzhguesit.
Vetë Veliaj ka artikuluar jo pak herë se akuzat kundrejt tij nuk qëndrojnë, duke pretenduar se arrestimi i tij është veçse ekzekutim i një urdhri politik nga “gjyqtarët e prokurorët e Berishës”.
AI ka deklaruar më herët se situata ndaj tij përngjan me metodat e regjimit komunist dhe se largimi i tij nga detyra pa një proces të rregullt gjyqësor është “grusht" ndaj votuesve të Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua me 10 shkurt i akuzuar nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas SPAK, Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa kishte krijuar një skemë korruptive për transferimin e fondeve nga Bashkia e Tiranës apo kontraktorë të saj në drejtim të një grupi OJF-sh apo personash fizikë, që sipas SPAK kontrolloheshin nga Xoxa.
/rtsh.al/