RTSH 24 Live

Ekonomi

Analiza/ Çfarë ka ndodhur mes viteve 2006 dhe 2023 për pagat shtetërore?

22/05/2023

Analiza/ Çfarë ka ndodhur mes viteve 2006 dhe 2023 për pagat shtetërore?

Pagat e reja, që janë duke u miratuar me projektligj të posaçëm në Kuvendin e Shqipërisë, kanë krijuar mjaft debat. Po përse po kundërshtohet struktura e re e pagave nga ministrat dhe sidomos nga deputetët? Radio Televizioni Publik tregon detaje, nëpërmjet një analize të pagave, nga viti 2006 deri në 2023.

Ka një kundërshti, jo vetëm në heshtje, por edhe nëpërmjet deklarimeve konkrete, lidhur me dy projektligje të Qeverisë, që caktojnë strukturën e re të pagave në Republikën e Shqipërisë. 

Pas deklarimit të kryeministrit Rama se, pagat do të rriten gjatë këtij viti për të gjithë nëpunësit shtetërore, por deputetët dhe ministrat do të jenë të fundit që do të përfitojnë nga  rritja ligjore e pagave, si dhe deklarimit se deputetët do ta miratojnë ligjin e ri, por vetëm pas disa amendimeve, krijoi një perceptim se nuk do të kishte rritje të pagave, sipas deklarimit zyrtar.

Pas shtyrjes së miratimit të ligjit në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, Kryeministri deklaroi se pavarësisht miratimit të draftit ligjor, pagat do të rriteshin sipas projektit, duke filluar nga muaji prill 2023.

Kundërshtia dhe debati vinte pas miratimit të sistemit të koeficientëve, që Ministria e Financave dhe Qeveria kishin përcaktuar për disa prej kategorive që preken nga ndyshimi i një ligji të hershëm, të vitit 2006.

Ligji nr.9584/2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, miratuar në muajin korrik të vitit 2006 , i krahasuar me draftin e ligjit, që u miratua 24 orë më parë në Komisionin e Ligjeve, ka ndryshime të dukshme sa i përket pagave.

Vini re krahasimin që bëmë mes të dy ligjeve:

Me ndryshimin ligjor të pagës së Presidentit të Republikës, hierarkia e pagave ndryshon: Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri kanë një rritje page minimale prej 1 mijë lekësh. Rritjen më të lartë të pagës e përfitojnë Kryeinspektori i ILDKPI, Kryetari i Komisionit të shërbimit Civil. Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës Kryetari i ERRE apo ERRU.

Por ministrat e qeverisë duhet të marrin pagë më të ulët duke filluar nga paga e muajit prill të këtij viti. Pra një ministër që paguhej me 187 mijë lekë tani do të marrë 175 mijë lekë. Një deputet që paguhej me 156 mijë lekë tani do të marrë vetëm një mijë lekë më shumë, pra 157 mijë lekë në muaj!

Pikërisht, koeficienti i llogaritjes së pagës së tyre, prej vetëm 0.369 pikë përqindje nga 0.610 që ka qenë, i ka bërë deputetët të kërkojnë amendimin e ligjit!

Ministrja Delina Ibrahimaj, e pyetur nga gazetarët në konferencën e fundit të shtypit, pranoi se ligji ishte shtyrë dhe tha se do të jetë gati në mesin e vitit. Ndërsa kryeministri Rama tha në rrjetet sociale se pagat e deputeteve dhe ministrave do të ndryshojnë pas përfundimit të ndryshimit të pagave të administratës publike.

Për këtë buxheti i shtetit ka planifikuar, në aktet e tij të vitit 2023, plot 20 milionë lekë në dispozicion dhe 13 milionë të tjerë, që duhen për të plotësuar strukturën e re të pagave do të merren nga fondi i kontigjencës, i po këtij viti!

Hartimi dhe miratimi i projektligjit të pagave nga Këshilli i Ministrave nuk ishte i parashikuar në programin analitik të akteve të Këshillit të Ministrave, për vitin 2023.

Por qeveria kërkoi miratimin e tij me arsyetimin se projektligji synonte mundësimin e zbatimit të vendimit nr.35/2022, të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me pagat e magjistratëve; realizimin e një përmirësimi në nivelin e pagave të titullarëve dhe të anëtarëve të organeve kolegjiale drejtuese me kohë të plotë të institucioneve të pavarura të krijuara me ligj, me synimin e krijimit të hierarkisë së pagave të tyre, duke vlerësuar rëndësinë dhe përgjegjësitë e institucioneve, etj.

Koeficientet për disa funksione politike, ku përfshihen Kryetari dhe zëvendëskryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Zëvendëskryeministri, deputeti dhe ministri, janë ulur në vlerë absolute për shkak të rritjes së pagës së Presidentit, por në vlerë reale paga bruto e tyre nuk ndryshon, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin që është depozituar në Komisionet e Kuvendit.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/RTSH/