RTSH 24 Live

Botë

Ambasadorja e Izraelit akuza ndaj Erdogan: Ai nuk e dinte për sulmin e Hamasit?!

08/12/2023

Ambasadorja e Izraelit akuza ndaj Erdogan: Ai nuk e dinte për sulmin e Hamasit?!

Me sigurinë se nuk ka rëndësi sa zgjat lufta, por si arrihet qëllimi, ambasadorja e Izraelit në Shqipëri deklaroi për RTSH se lufta do të përfundojë kur të jenë liruar të gjithë pengjet izraelitë dhe kur Hamasi të jete shkatërruar. Duke shprehur keqardhjen për çdo civil të vrarë, veçanërisht për fëmijët, ambasadorja Galit Peleg tha në një intervistë për emisionin “Pa censurë” se Izraeli nuk ka kryer krime lufte, siç është akuzuar në 2-3 protesta të zhvilluara në Shqipëri këta 2 muaj, por është angazhuar për të mbrojtur qytetarët e tij. 

Izraeli nuk e donte këtë luftë.  Kjo luftë nisi në 7 tetor, kur Izraeli u sulmua nga Hamas-i përmes Gazës,“ u shpreh ambasadorja, e cila vlerësoi me nota maksimale Shqipërinë për qëndrimin mbështetës. Pavarësisht atyre pak protestave me akuza ndaj Izraelit, ambasadorja Peleg, deklaroi se në Shqipëri nuk ekziston antisemitizmi.

Antisemitizmi nuk ekziston në AND-në e shqiptarëve,” u shpreh ambasadorja e Izraelit, e cila nuk u përpoq aspak të përdorte gjuhën diplomatike, kur u pyet, nëse protestat kundër luftës kanë karakter dhe nxitje fetare.

Jam e sigurtë që kanë, por mendoj se shqiptarët nuk janë radikalë dhe shpresoj se nuk do të ndikohen nga radikalët,” tha ajo për emisionin “Pa censurë”. 

Po kaq direkte, ambasadorja Peleg ishte edhe kur u pyet, nëse me qendrimet e tij Presidenti Erdogan po përpiqet të nxisë urrejtje fetare kundër hebrenjve. Madje, ajo pothuajse e akuzoi direkt Presidentin e Turqisë se ka patur dijeni për sulmin terrorist te 7 Tetorit të Hamas-it në Izrael. Përgjigjen e saj e gjeni të plotë në intervistën për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa censurë”. 

Pjesë nga intervista për emisionin "Pa censurë”.

Elona Meço: Jua bëra pyetjen për sigurinë këtu, sepse në Tiranë u mbajtën 2-3 protesta në mbështetje, siç u tha, të popullit palestinez. Besoj ju ranë në sy pankartat e tyre për krimet e luftës apo genocidit të Izraelit në Gaza. Keni informacion për rritje të ndjenjave antisemite në Shqipëri?

Ambasadorja e Izraelit: Së pari dua të sqaroj se nuk ka genocid. Janë lajme të rreme që po qarkullojnë, në mënyrë që të përhapin një reputacion të keq për Izraelin. Si mund të ketë genocid, kur numri i palestinezëve dyfishohet çdo vit?! Nuk ka genocid. Izraeli nuk ka asnjë problem me popullin palestinez. Mund t’ju them edhe më shumë. Si ambasadore këtu, nuk kam asnjë problem me protestat pro palestineze. Është ok të jesh pro palestinez. Është ok të jesh pro izraelit. Kushdo mund të ketë opinionin e vet, përsa kohë nuk sulmon palën tjetër me të drejtën për të ekzistuar. Nuk mendoj se antisemitizmi po rritet në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria është akoma si një perlë, si një rreze drite në atë se çfarë po ndodh sot në Europë. Mendoj që është shumë, shumë i rëndësishëm pozicioni i qeverisë, i policisë dhe siç e thashë, i parlamentit. Nuk është çështje e Partisë Socialiste apo Partisë Demokratike. Mendoj se antisemitizmi nuk ekziston këtu. Ne folëm për ADN-në, antisemitizmi nuk ekziston në AND-në e shqiptarëve. Kur flasim për fenë, njerëzit nuk janë radikalë dhe vërtet shpresoj që ata elementë radikalë nuk do të inflitrohen në Shqipëri. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjitha fetë këtu dhe do të doja të vëzhdonte kështu.

Elona Meço: Protestat që u organizuan në Tiranë kishin pankarta që dënonin, siç thashë, genocidin dhe krimet e luftës së Izraelit në Gaza, por a kanë ato edhe karakter fetar, duke qenë se janë organizuar përgjithësisht nga organizata islamike? 

Ambasadorja e Izraelit: Jam e sigurtë që kanë. Por siç e thashë, mendoj se shqiptarët nuk janë radikalë. Nuk ka rëndësi se cilit besim i përkasin. Dhe shpresoj se nuk do të ndikohen nga radikalët. Dua të them diçka që e kam thënë që prej nisjes së kësaj lufte. Nëse je myslyman, duhet të jesh i pari që duhet të dënosh Hamas-in. Sepse emri i tij është Lëvizja e Rezistencës Islame. Gjithçka ata thonë thonë se e bëjnë në emër të islamit. Unë njoh shumë myslimanë, edhe në Shqipëri. Jam e sigurtë se asnjë prej tyre nuk do të binte dakord që të vriteshin foshnja në emër të islamit, apo t’u priten kokat njerëzve në emër të islamit, ose të përdhunohen gra në emër të islamit. Pra, nëse ka elementë që duan ta trajtojnë si diçka të fesë myslimane, mendoj se janë shumë gabim. Ata duhet të jenë të parët që të thonë se kjo nuk na përfaqëson. Prandaj them se qëllimi ynë për të eliminuar Hamas-in nga Gaza nuk është vetëm për Izraelin, por edhe për palestinezët në Gaza, për myslymanët në Gaza.

Elona Meço: Por ata e kanë votuar Hamas-in.

Ambasadorja e Izraelit: Askush nuk është naiv që të mendojë se nuk ka mbështetës të Hamas-it në Gaza. Keni absolutisht të drejtë. U mbajtën zgjedhje dhe ata fituan. Pa hile. Kjo nuk e ndryshon faktin që ata po vuajnë. Shikoni, një shembull shumë të vogël. Ata po luten që ndihmat humanitare të hyjnë në Gaza. Ndihma humanitrare po shkon në Gaza dhe ku po shkon? Po shkon në duart e Hamsa-it. Ata po ua japin ndihmat njerëzve të tyre ose ndjekësve të tyre. E dini sa para janë dhënë për Gazën çdo vit? Miliarda euro janë derdhur në Gaza. Si ka mundësi që nuk është bërë dot Singapori i Lindjes së Mesme? Sepse  paratë e tyre i ka marrë Hamas-i. Ku jetojnë udhëheqësit e tyre? Ata kanë vila në Gaza, por jetojnë në Katar, në Doha, jetojnë në hotele luksoze në Ankara dhe në Stamboll. Ata nuk rrinë në Gaza.

 Elona Meço: Meqë jemi tek Stambolli. Unë këmbëngula tek çështja fetare, pasi presidenti turk, rreth 2 javë më parë deklaroi se rënia e Gazës do të jetë një plagë e thellë për unitetin e botës islamike. Po përdoret feja islame për nxitjen e urrejtjes?

 Ambasadorja e Izraelit: Fatkeqësisht, Presidenti i Turqisë e shfrytëzoi këtë rast për të prompovuar veten. Ai ka thënë gjëra të tmerrshme për Izraelin dhe është ndër pak, fare pak udhëheqës  në botë që mbështet Hamas-in. Hamas-i është një organizatë terroriste. Nëse je mik me Hamas-in, nuk mund të konsiderohesh si një udhëheqës serioz që vërtet do që të arrish diçka. Tani, në lidhje me Gazën si një plagë për islamin, ku ishte ai 2 muaj më parë? Ku ishte ai në 6 tetor? Pra, dua të them pse nuk e ndaloi Hamas-in për të mos bërë atë që bëri?

Elona Meço: Ndoshta nuk e dinte?

Ambasadorja e Izraelit: Ai nuk e dinte?! Ai është miku më i ngushtë i Hamas-it. Izraeli nuk ka ambicie për të kontrolluar Gazën. Ne u tërhoqëm nga Gaza në 2005-ën dhe nuk kemi arsye të kthehemi atje. Prandaj, Gaza nuk do të bjerë në duart e Izraelit. Izraeli do që të eliminojë Hamas-in, të kthejë pengjet në atdhe dhe të ikim nga Gaza. Ne nuk duam asnjë ushtar në Gaza. Nuk duam të vëmë në rrezik asnjë izraelit, por ne nuk do të tolerojmë që, në të ardhmen, të vazhdojmë të bashkëjetojmë me një organizatë naziste terroriste që provoi se mizoria e saj shkon përtej çdo imagjinate.

Gazetare: Elona Meço

/rtsh.al/