RTSH 24 Live

Aktualitet

Ambasadorja e BE-së, Hohmann, takon Inspektorin e Lartë të Drejtësisë: BE do të mbështesë institucionet e drejtësisë në Shqipëri

04/10/2022

Ambasadorja e BE-së, Hohmann, takon Inspektorin e Lartë të Drejtësisë: BE do të mbështesë institucionet e drejtësisë në Shqipëri

 Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, ka zhvilluar një takim me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, në të cilin ka theksuar rolin kyç të këtij institucioni në forcimin e llogaridhënies, duke ruajtur pavarësinë e gjyqësorit shqiptar.

Në këtë takim Metani pasi ka uruar ambasadoren për detyrën. vlerësoi ndihmën e dhënë nga Bashkimi Evropian për Zyrën e ILD-së, si asistencën teknike përmes misionit EURALIUS V, për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ashtu edhe rritjen e kapaciteteve përmes CEPEJ, programit për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri.

Metani ka bër një prezantim të punës e rezultateve të zyrës së ILD-së në këto 2 vite e gjysmë, duke nënvizuar se “në punën e saj për verifikimin e shkeljeve disiplinore të magjistratëve, ILD-ja udhëhiqet nga parimi i ruajtjes së balancës mes interesit publik për administrimin e drejtësisë nga njëra anë dhe pavarësisë së magjistratëve nga ana tjetër.”

Ambasadorja Hohmann pasi vlerësoi rezultatet e arritura nga ILD në dy vite, theksoi se “Bashkimi Evropian do vazhdojë të mbështesë institucionet e drejtësisë në Shqipëri.”

 “Zhvillova takime të mira sot me Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami dhe me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani. BE do të vazhdojë të mbështesë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, të cilët luajnë një rol kyç në forcimin e llogaridhënies dhe duke ruajtur pavarësinë e gjyqësorit shqiptar”, tha Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.

/rtsh.al/