RTSH 24 Live

Kulturë

Amaneti i Zef Dedës, Drande Xhaji rrëfen fjalët e fundit të aktorit

24/11/2023

Amaneti i Zef Dedës, Drande Xhaji rrëfen fjalët e fundit të aktorit

Sot u nda në moshën 73-vjeçare nga jeta mjeshtri shkodran i humorit, Zef Deda.

Batutat e tij i kanë rezistuar kohërave që kur u ngjit për herë të parë në teatrin "Migjeni" 40 vjet më parë.

Zhdërvjelltësia në skenë i ka lënë mbresat edhe te kolegët e tij, një pjesë të ftuar edhe te "Jetë shqiptare".

Aktorja Drande Xhaji, bashkëqytetarja e të ndjerit Deda, tha se vetëm dy ditë më parë e takoi për herë të fundit.

"Ai para dy muajve nuk ka dalë nga shtëpia, por ne vetëm dy ditë më parë e takuam në shtëpinë e tij. Ishte në fundin e tij dhe na jepte zemër ne. Amaneti i tij ishte që të ringrihej edhe një herë estrada e Shkodrës ashtu e lavdishme siç ka qenë në kohën e Zefit. Domethënë të krijohet një grup i ri i estradës që ajo të vazhdojë. Këtë e ka pasur gjithmonë ëndërr, dëshirë dhe shqetësim të tijin," u shpreh znj. Xhaji.

Ndërsa kompozitori i njohur, Osman Mula, ndau detaje nga cilësitë njerëzore të mjeshtrit Deda.

"Ishte i mrekullueshëm, kavalier, i drejtpërdrejtë, nuk fliste për njeri në tavolinë, zemërbardhë, tepër modest. Zefin nuk ndenji në teatër për të thënë 'unë jam ai heroi'. Ishte një djalosh që heroizmin e mbante në skenë gjatë interpretimit," tha z. Mula.

/rtsh.al/