Maqedonia e Veriut hyn në një cikël të ri tensionesh politike, përpara mbledhjes së Gjykatës Kushtetuese të vendit, të mërkurën, më 11 dhjetor.
Takimi i ardhshëm ka të bëjë me shqyrtimin e ankesave për ligjin për zgjerimin e gjuhës shqipe.
Opozita dhe partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI, e udhëhequr nga Ali Ahmeti, mbrëmë nisi demonstratat, me mitingje gjithë ditën dhe gjithë natën në “mbrojtje”, siç i quajti ai, të ligjit, para Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese në Shkup, e cila do të zgjasë të paktën deri të mërkurën.
Nga tendat e vendosura përpara Gjykatës Kushtetuese, Ali Ahmeti, dha disa ‘porosi’ për kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Gjykatën Kushtetuese.
Ahmeti tha se nuk guxon të preket në palcën e shqiptarëve, pasi kjo nuk është në të mirë të askujt.
Sipas tij protesta nuk ka të bëjë me pohimet e Mickoskit se BDI-ja dëshiron të krijojë mjegull për shkak të krimeve të bëra.
“Jemi mbledhur këtu për të ngritur zërin tonë për çështjet që kërcënojnë themelet e barazisë së qytetarëve të shtetit tonë multietnik. Kjo nuk është një ditë e zakonshme, as një protestë e zakonshme. Sot, më shumë se kurrë, është koha të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur atë që kemi arritur me kaq shumë mund dhe sakrifica. Respektoni Marrëveshjen e Ohrit dhe mos cenoni dhe mos prekni në palcën e shqiptarëve sepse nuk është mirë as për ju as për ne. Ky shtet është i përbashkët. Asnjëherë nuk kemi kontestuar as gjuhën e bashkëqytetarëve as historinë e bashkëqytetarëve. Prandaj mos i prekni në palcë shqiptarët sepse edhe durimi ka një fund”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së- Fronti Europian.
Ahmeti kritikoi edhe përfaqësuesit e koalicionit Vlen, për siç tha ndryshim të përditshëm të qëndrimeve.
“Sa për këta tanë që brenda një muaji ndërrojnë ditë për ditë qëndrimet. Fillimisht gjuha shqipe nuk ishte zyrtare e tani na u bë zyrtare dhe dalëzotës janë bërë dhe janë trimëruar. E di unë sa trima janë. Aq trimëri kanë sa një mace të rrëzojë enët në kuzhinë. Aq është takati i tyre”, shtoi ai.
Ahmeti bashkë me krerët e Frontit, në Shkup erdhën pas takimit të mbajtur në Reçicë të Vogël në Tetovë ku paraprakisht u mblodhën partnerët e Frontit Evropian dhe kryesia e BDI-së për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm. Për të tërhequr tendat nga Gjykata Kushtetuese, Fronti kërkon garanci se gjuha shqipe nuk do të preket
Kujtojmw se, kundër këtij ligji, i cili u miratua në vitin 2019 nga qeveria e kaluar, ajo e Partisë Socialdemokrate të Zoran Zaevit dhe partisë shqiptare BDI të Ali Ahmetit, në Gjykatën Kushtetuese të vendit janë dorëzuar gjithsej 12 ankesa nga partitë politike nacionaliste, organizata, agjenci të tjera dhe qytetarë individualë, me të cilët kundërshtohen pothuajse të gjitha nenet e ligjit.
/rtsh.al/