Katërmbëdhjetë vite burg për ish-kryeministrin pakistanez Imran Khan dhe 7 vite burg për bashkëshorten e tij Bushra Bibi për veprat penale të “keqpërdorimit të autoritetit” dhe “korrupsion”. Ka qenë ky vendimi i sotëm i marrë nga gjykata në lidhje me Trustin Al-Qadir, të cilin Khan e zotëron së bashku me gruan e tij.
Ish-kryeministrit iu dha gjithashtu një gjobë prej 1 milion rupi pakistaneze (3,500 dollarë), ndërsa Bibi u gjobit me gjysmën e kësaj shume.
Khan, i cili nuk u paraqit para gjykatës më 13 janar, kur vendimi u vonua për herë të tretë, kishte pohuar më herët se vonesat ishin një përpjekje për t'i bërë "presion". Ky është rasti i katërt i madh ku ish-kryeministri është dënuar.
Tre dënime të mëparshme, të shpallura në janar të vitit të kaluar, kanë të bëjnë me shitjen e dhuratave shtetërore, nxjerrjen e sekreteve shtetërore dhe martesën e paligjshme , të cilat u rrëzuan ose u pezulluan.
Pavarësisht kësaj, Khan mbetet pas hekurave, me dhjetëra çështje në pritje kundër tij, një situatë të cilën ai e përshkruan si një gjueti shtrigash politike.
Khan u arrestua për herë të parë në lidhje me çështjen Al-Qadir Trust në maj 2023, duke kaluar më pak se dy ditë në paraburgim. Megjithatë, arrestimi çoi në protesta mbarëkombëtare gjatë të cilave mbështetësit e Khan u revoltuan në shumë qytete.
Faisal Fareed Chaudhry, avokati i Khan, e konsideroi vendimin si një vazhdimësi e "persekutimit fals" kundër Khan dhe gruas së tij.
“Është ndoshta i vetmi rast ku Byroja Kombëtare e Përgjegjshmërisë (NAB) nuk mund të konstatonte një humbje qoftë edhe të një qindarke të vetme,” tha avokati.
/rtsh.al/