RTSH 24 Live

Politikë

Akuzat për vrasje/ Balla paralajmëron Berishën nga GJKKO: Do jesh klient i përhershëm

03/03/2023

Akuzat për vrasje/ Balla paralajmëron Berishën nga GJKKO: Do jesh klient i përhershëm

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka deklaruar këtë të premte nga GJKKO se do fitojë gjyqin ndaj Sali Berishës, të cilin e ka paditur pas akuzave të artikuluara nga kreu demokrat i Rithemelimit në seancat plenare.

Teksa Berisha e ka akuzuar Ballën si porositësin e vrasjes së avokatit Ravik Gurra, kreu i grupit parlamentar socialist theksoi se nëse Kreu demokrat nuk paraqet provat për akuzat e ngritura, do të përballet me drejtësinë për shpifje. Këtë të premte (3 mars), ishte seanca e dytë për padinë e ngritur nga Balla dhe kreu demokrat, sërish nuk është paraqitur.

Unë për çdo shpifje dhe sulmi të pabazuar kam vendosur një standard, i jam drejtuar gjykatës. Këtë herë i jam drejtuar Gjykatës pranë SPAK si një padi penale ndaj Sali Berisha dhe Floriana Garos. Berisha këtë godinë e ka shumë frikë dhe nuk i afrohet dot. Është seanca e dytë që nuk vjen. Vlerësoj vendimin e Gjykatës që urdhëroi përsëri thirrjen e Sali Berishës, i cili duhet të mësohet se kur ngre akuza ndaj kundërshtarëve politik apo çdo qytetari, duhet të mësohet se shteti ligjor ka mekanizma që të shtrëngon për tu paraqitur në gjykatë për të paraqitur provat nëse i ke, ose për t’u ndëshkuar nëse nuk ke bazë mbi ato që ke thënë. Ky njeri duhet të mësohet se ligji funksionon dhe vepra penale e shpifjes duhet ndëshkuar”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS,  paralajmëroi Berishën që të përgatitet pasi në GJKKO do të jetë klient i përhershëm. Berisha, theksoi Balla, “duhet të mësohet të vijë këtu, për çështjet që kemi thirrur ne dhe shqiptarët. Ndër to rëndon 21 janari, gërdeci, privatizimi i OSSH dhe Partizanit”.

Berisha ka akuzuar Taulant Ballën se ka porositur vrasjen e avokatit Ravik Gurra, pasi siç tha kreu demokrat, kishte kapur socialistin me bandat për porosi vrasjesh.

Ke fshirë regjistrimet. Prokurori që ka fshirë regjistrimet e ke lartësuar në detyrë. Sot këtu në parlament është hija e Ravik Gurës i cili të kishte kapur ty me bandat për porosi vrasjesh, dhe e eleminove”, ka thënë Berisha.

/rtsh.al/