RTSH 24 Live

Aktualitet

Aksidenti me 8 viktima në Këlcyrë, Avokati i Popullit: Kambanë alarmi, rrisni kontrollet

03/04/2024

Aksidenti me 8 viktima në Këlcyrë, Avokati i Popullit: Kambanë alarmi, rrisni kontrollet

Avokati i Popullit ka reaguar për ngjarjen tragjike në Këlcyrë ku humbën jetën 8 persona, mes të cilave 7 emigrantë nga Pakistani, gjatë një aksidenti rrugor. Avokati i popullit tha se kjo ngjarje duhet të shërbejë si kambanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm.

Emigracioni është një problem mbarëbotëror, tha Avokati i Popullit, por për këtë duhen krijuar rrugë ligjore dhe të sigurta për emigracionin, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Avokati i Popullit u shpreh se ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe “nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë”.

“Avokati i Popullit ka përcjellë me shqetësim të thellë ngjarjen e rëndë të aksidentit tragjik në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, që solli për pasojë 8 viktima. Emigrimi i jashtëligjshëm është një sfidë mbarëbotërore dhe çështje e ndjeshme për shoqërinë në tërësi, me të cilën po përballemi fort në dekadën e fundit edhe në vendin tonë.

Ka shumë arsye që njerëzit vendosin të emigrojnë, përfshirë shkëputjen nga konfliktet, kërkesën për mundësi të reja punësimi dhe dëshirën për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe të familjes. Kjo ngjarje duhet të shërbejë si kambanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin. Adresimi në nivel global i çështjes së migracionit duke trajtuar shkaqet në origjinë, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.

Forcimi i ligjit dhe zbatimin e tij, krijimi i mundësive legjitime për emigracion dhe azil, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për të adresuar shkaqet themelore të emigrimit të paligjshëm janë çështjet që duhen adresuar me prioritet. Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Për sa më sipër, Avokati i Popullit ka hartuar disa raporte dhe ka dhënë rekomandime ku ka adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë. Kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Aksidenti tragjik ndodhi më 2 prill ku një makinë me 8 persona ra nga 80 metra lartësi për shkak të shpejtësisë shumë të lartë duke përfunduar në anë të lumit të Vjosës. Drejtuesi i mjetit dhe 7 emigrantët që ndodheshin në mjet humbën jetën.

/rtsh.al/