Nëntë persona kanë mbetur të plagosur mesditën e kësaj të hëne në Tiranë, si pasojë e një aksidenti, ku një autobus i linjës së “Unazës” është përplasur me 10 automjete.
Ngjarja u regjistrua tek “Ura e Tajvanit” rreth orës 11:35, teksa policia bën me dije nëpërmjet një njoftimi se të plagosur kanë mbetur personat me inicialet A. Xh., 63 vjeç, M. S., 35 vjeçe; G. P., 27 vjeç dhe V. P., 27 vjeç; O. G., 52 vjeç dhe J. C., 31 vjeçe, D. N., 27 vjeç, K. A., dhe E. H. Ata janë dërguar në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shkaqet e këtij aksidenti nuk dihen ende, teksa, sipas policisë, pas testit të alkoolit, drejtuesi i autobusit nuk ka rezultuar nën efektin e pijeve alkoolike.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Shefi i Qarkullimit të Tiranës Taulant Gjoka, bëri me dije se mes të plagosurve janë shoferi i autobusit dhe drejtuesit e dy mjeteve të tjera që u përfshinë në aksident. Edhe pse hetimet janë në vijim, Gjoka u shpreh se paraprakisht shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë shpejtësia tej normave.
“Të plagosur 2 janë drejtues mjetesh dhe 1 drejtues autobusi. Sapo të kemi një verdikt do ju bëjmë me dije. Disa drejtues mjetesh në vendngjarje po kontrollohen edhe për nivelin e alkoolit. Ka dyshime për shpejtësi, por s’mund të japim verdikt final”, tha Gjoka.
/rtsh.al/