Agjencia Europiane e Mjedisit vlerëson se Tirana është një nga dhjetë kryeqytetet më të gjelbërta të Europës. Sipas listës së publikuar nga të dhënat e agjencisë, Tirana renditet në top 10-shen e kryeqyteteve me mbulimin më të madh urban me pemë, në bazë të popullsisë.
Tirana lë pas kryeqytete si Brukseli, Athina dhe Beogradi, por ndërkohë renditet e para mes kryeqyteteve të Mesdheut. Kjo është një arritje e rëndësishme për kryeqytetin shqiptar, i cili në 9 vitet e fundit ka përmirësuar ndjeshëm hapësirat e gjelbra, falë edhe ndërhyrjes me aksionet e vazhdueshme për mbjelljen e pemëve nga Bashkia e Tiranës.
Listën e kryeson Sarajeva, qytet i cili gjithsesi nuk është rritur në popullsi edhe pas luftës së 1994. Ndërsa, pas saj renditen vendet baltike dhe skandinave, të cilat njihen për nivelin e lartë të gjelbërimit edhe për shkak të favorizimit të klimës.
Për lajmin ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Super lajm për Tiranën nga Agjencia Europiane e Mjedisit! Hidhi një sy këtij grafiku, për të mësuar se si Tirana listohet në top 10-shen e kryeqyteteve të Europës me mbulimin më të madh urban me pemë, duke lënë pas Athinën, Beogradin, Brukselin e plot qytete të tjera. Një arritje e jashtëzakonshme për gjithë punën e bërë në këto 9 vjet, me mbjelljen e pemëve të reja, si e vetmja mënyrë për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe të gjithëve. Është edhe një përgjigje për shpotitjet e atyre që, çudi si nuk lodhen së djeguri goma duke ndotur mjedisin në qendër të Tiranës, por mazallah se kapin një lopatë me dorë! Forca”.
Lista e kryeqyteteve me dendësinë më të madhe të pemëve:
- Sarajeva
- Oslo
- Riga
- Tallin
- Stokholm
- Helsinki
- Sofia
- Zagreb
- Vilnius
- Tirana
/rtsh.al/