RTSH 24 Live

Aktualitet

Agjencia e Pasurive të Sekuestruara merr në dorëzim 102 kontejnerët e anijes “Moliva”

08/11/2024

Agjencia e Pasurive të Sekuestruara merr në dorëzim 102 kontejnerët e anijes “Moliva”

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në dorëzim 102 kontejnerët, që u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit.    

Sipas Ministrisë së Brendshme, gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhërit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontejnerëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore. 

Ministria njofton se të përfshirë në planin e masave janë një sërë institucionesh, ku përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Hetimit Doganor, si edhe Prokuroria e Durrësit.   

"Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontejnerët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë", thuhet në njoftimin e Ministrisë.

/rtsh.al/