Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thekson se strukturat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë punuar pa ndërprerje gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë të mundur riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq.
Sipas ministres janë zgjidhur plotësisht problemet e furnizimit me energji elektrike në qarkun e Vlorës dhe pothuajse plotësisht në Durrës, Burrel, Fier, Kukës, Korçë, Berat dhe Gjirokastër.
“Vijon të ketë problematika të vogla në rajonin e Shkodrës dhe më të vështira në rajonin e Elbasanit, në të cilin nënstacioni i Përrenjasit vazhdon të jetë jashtë pune”, nënvizon më tej Balluku.
“Në raport me gjendjen e mëngjesit të sotëm ka një përmirësim të ndjeshëm për sa i përket eliminimit të avarive në shkallë vendi, duke bërë të mundur riparimin e 90% të defekteve në fidera dhe rikthimin e energjisë në rreth 81% të konsumatorëve të prekur”, shkruan Balluku.
Ditën e nesërme është parashikuar mot më i qëndrueshëm, me më pak erë dhe reshje, por temperaturat pritet të ulen më tej.
/rtsh.al/