RTSH 24 Live

Aktualitet

Afera e ish- klubit 'Partizani', Apeli shtyn vendimin për ankimimin e Berishës

20/11/2023

Afera e ish- klubit 'Partizani', Apeli shtyn vendimin për ankimimin e Berishës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shtyrë për të martën (21 nëntor) shpalljen e vendimit, lidhur me ankimimin e Sali Berishës për masën ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘bllokim të pasaportës’ nga SPAK. Berisha, bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen për korrupsion, lidhur me përvetësimin e trojeve të ish- klubit ‘Partizani’.

Seanca gjyqësore për shqyrtimin e ankimimit të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, në lidhje me masat e sigurisë për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, u zhvilluan të hënën në Gjykatën e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 20.11.2023, ora 09:00, lidhur me çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, pasi dëgjoi palët, i dha fund shqyrtimit gjyqësor po në datë 20.11.2023, ora 16:00, dhe urdhëroi shtyrjen e shpalljes së vendimit në datë 21.11.2023, ora 11:00.", njofton gjykata.  

Gjokutaj: Çështja është një farsë

 Edhe avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, pasi ka dalë nga Apeli i GJKKO, ku po shqyrtohej ankimimi i bërë ndaj vendimit për Berishën, duke folur për mediat, deklaroi se vendimi është shtyrë për ditën e nesërme në orën 11:00, pasi, sipas tij, “dosja ka qenë voluminoze”.

“Në mënyrë shteruese kemi paraqitur të gjithë argumentet tona që masat nuk qëndrojnë dhe çështja është një farsë. Gjykata ishte në pamundësi për të dhënë një vendim, pasi materiali është voluminoz. Seanca u shty për nesër në orën 11:00. Nuk e di pse nuk është paraqitur Berisha. Ai nuk paraqitet karshi një vendimi që është antikushtetues. Është një vendim nominal i referuar nga ne se është anti-kushtetue”, tha ai.

Më 14 nëntor avokatët mbrojtës të ish- kryeministrit Berisha dorëzuan në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme ankimimin ku kundërshtonin vendimet për masën e sigurimit personal “detyrim me paraqitje” dy herë në muaj për Berishën.

Përmes avokatëve mbrojtës, Berisha kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.

Të njëjtën kërkesë për shuarje ose zbutje mase kanë dërguar edhe avokatët e Jamarbër Malltezit, i cili është i dyshuar për korrupsion pasiv.  Mbi Malltezin rëndon masa “arrest në burg”.

Berisha: Ai është një urdhër i Edi Ramës

Ish-kryeministri Berisha refuzoi të hënën të paraqitet në SPAK për t’u njohur me masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’, në çështjen e korrupsionit për ish- klubin Partizani, ku akuzohet për “korrupsion pasiv”.

Berisha sërish përdori Kuvendin si mburojë, ku mbështetësit e tij organizuan kaos dhe i vunë flakën një tavoline. Berisha sulmoi prokurorin Arben Kraja dhe gjyqtaren, Irena Gjoka, duke i cilësuar si “mercenarë të Edi Ramës”. Berisha tha se nuk do të paraqitet në SPAK.

“Sot unë jam paraqitur në parlament. Nuk mund të pranoj kurrë përvetësimin që i bën parlamentit, Edi Rama. Ai është një urdhër i Edi Ramës i lëshuar nëpërmjet mercenarëve të inkriminuar, siç është Arben Kraja, i cili qëndron në detyrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit të prokurorisë, që e nxjerr jashtë si ish-oficer i sigurimit. Ua tregova unë dokumentin, ajo që fshihet prapa krimit, Irena Gjoka, e cila fshihet prapa krimit, dhe së fundi njeriu me lidhjet më obskure me Taulant Ballën. Pra ata janë shërbëtorë të mjerë që zbatojnë urdhëra të Edi Ramës dhe i marrin pushtetin parlamentit.”, tha Berisha.

Në orën 10:00 të ditës së sotme (20 nëntor), Berisha duhej të ishte paraqitur përpara oficeres, Adelajda Metaj. Ky ishte afati i dytë për ish-kryeministrin për t’u paraqitur para SPAK, ndërsa afati i parë ishte e hëna e parë e muajit më 6 nëntor. 

Sipas procedurës, nëse ish-kryeministri nuk paraqitet as në momentin e dytë të detyrimit të vendosur ndaj tij nga Gjykata, SPAK mund të kërkojë zëvendësimin e masës detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shtetit.

Masa e re është më e rëndë. Ndaj tij mund të kërkohet edhe “arrest shtëpie”, për të cilën duhet t’i kërkohet autorizim parlamentit për heqjen e imunitetit ndaj Sali Berishës.

/rtsh.al/