RTSH 24 Live

Aktualitet

Abuzimi me inceneratorin e Fierit, shtyhet gjyqi për ish-deputetin PS, Alqi Bllako

29/09/2022

Abuzimi me inceneratorin e Fierit, shtyhet gjyqi për ish-deputetin PS, Alqi Bllako

Gjykimi për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i cili ndodhet pas hekurave për aferën e inceneratorit të Fierit, është shtyrë për në datën 6 Tetor. Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të Organizuar, Bllako kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, pasi pretendon se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për masën ‘arrest me burg’.

Prokurori parashtroi të gjitha veprimet hetimore të kryera deri më tani , ndërsa shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e palës mbrojtëse të cilës i duhej kohë për t’u njohur me përmbajtjen e materialeve të prokurorisë. Ish-deputeti akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

Ai dyshohet se në bashkëpunim me Pëllumb Abeshin, dhe ish-ministrin Koka, falsifikuan dokumentet për shpronësimin e pronës, ku do të ngrihej impianti i trajtimit të mbetjeve të Fierit, duke shkaktuar një dëm financiar prej 16.2 milionë lekësh.

Ndërsa vetë Bllako duke favorizuar kompaninë e Klodian Zotos, mori ryshfet rreth 14.9 milionë lekë.

/rtsh/