RTSH 24 Live

Aktualitet

Abuzimet me fondet e SASPAC, arrestohet në Rinas Gazmend Haxhia

08/07/2024

Abuzimet me fondet e SASPAC, arrestohet në Rinas Gazmend Haxhia

Gazmend Haxhia, pjesë e personave të shpallur në kërkim nga SPAK për abuzimet me fondet e SASPA, është arrestuar në Rinas.  Burimet për RTSH konfirmojnë se sapo Haxhia ka shkelur në tokën shqiptare është vënë në pranga, ndaj të cilit GJKKO vendosi pak ditë më parë masën “arrest shtëpie”.

Ish ministri ilir Beqaj, dhe 6 persona të tjerë akuzohen se kanë abuzuar me fondet e BE përmes agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) duke ngritur një skemë abuzimi për marrjen e fondeve për vetën e tyre përmes kompanive që kishin hapur në emër të personave të tjerë, por ata ishin përfituesit fundor.

Gazmend Haxhia dhe biznesmenë të tjerë, që janë përmendur në dosjen e SPAK, përmes prerjes së faturave fiktive, për shërbime që nuk kryheshin, kanë ndihmuar Beqajn në përvetësimin e fondeve.

SPAK po e heton ish ministrin e Shëndetësisë për shpërdorim detyre, korrupsion i zyrtarëve të lartë, mosdeklarim pasurie dhe pastrim të parave. 

Ish-ministri dyshohet se skemën e përvetësimit të parave e realizoi me vartësin e tij Ermal Kurtulaj. Ky i fundit në masën e arrestit në burg i tha gjykatës së është i gatshëm të vendosë garanci pasurore paratë e përftuara nga shitje e një automjeti. I njëjti automjet që SPAK dyshon se është pronë e Beqajt, por e regjistruar në emër të Kurtulaj. 

Në të paktën 8 raste prokuroria ka zbuluar se personat e përfshirë në dosje kanë zhvilluar aktivitete duke i mbuluar me fatura fiktive dhe shumat e parave i përvetësonin.  

/rtsh.al/