RTSH 24 Live

Aktualitet

80-vjetori i ndarjes nga jeta të Nako Spiru/ Meta: Frymëzuesi i Rinisë Antifashiste

20/11/2020

80-vjetori i ndarjes nga jeta të Nako Spiru/ Meta: Frymëzuesi i Rinisë Antifashiste

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot 80-vjetorin e ndarjes nga jeta të Nako Spiros.

“Si sot, 73 vjet më parë, në rrethana ende të dyshimta, u nda nga jeta, Nderi i Kombit, Nako Spiru, organizatori, frymëzuesi dhe drejtuesi kryesor i Rinisë Antifashiste, pas rënies heroike të Qemal Stafës. Patriot, intelektual i shquar dhe publicist i talentuar, i cili gjithë dijet dhe energjitë i vendosi në shërbim të Shqipërisë, tek jeta dhe vepra e tij, mbizotëroi përherë deviza: “Atdheu, mbi partinë.”Ishte në të vërtetë kjo arsyeja, që u bë shkak edhe për ndarjen nga jeta në një moshë të re, pasi refuzoi hapur dhe nuk e pranoi kurrë vasalitetin e Shqipërisë nga Jugosllavia”, shprehet ai.

Meta shton se ndonëse asgjë nuk i mungonte në jetën personale, bir i një familjeje të pasur por patriotike të Durrësit, ai braktisi rehatinë e tij personale jashtë vendit, ku studionte, për hir të idealeve kombëtare dhe aspiratës për një Shqipëri të lirë, duke u shndërruar në një nga udhëheqësit më frymëzues të Rinisë dhe Luftës Antifashiste.

“Falë dijeve që zotëronte dhe penës së mprehtë, Nako Spiru ishte një prej figurave më të rëndësishme të nxitjes së ndjenjës patriotike, mobilizimit dhe bashkimit të popullit kundër pushtuesve. I angazhuar pas Lufte me detyra të larta shtetërore për rimëkëmbjen e vendit, kryesisht për zhvillimin ekonomik, ai refuzoi hapur dhe me kurajë politikat e vasalitetit të propozuara nga jugosllavët, duke e paguar me jetë qëndrimin e tij të palëkundur në mbrojtje të interesit kombëtar. Si një nga figurat më të rëndësishme politike e shoqërore të Shqipërisë në mesin e shekullit XX, por që përfundoi tragjikisht në moshën 29-vjeçare, është e domosdoshme një studim më i drejtë i figurës së Nako Spirut, për të nxjerrë në pah vlerat dhe kontributin e tij të shquar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para të shtetit shqiptar të pasluftës, që për dekada ju mohuan nga regjimi totalitar”, shprehet ai.