Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është e bindur se qendrat e emigrantëve në Shqipëri do funksionojnë, pavarësisht vendimit të një gjykate italiane që ka pezulluar punën në Shëngjin dhe Gjadër.
“Kini besim. Qendrat e emigrantëve në Shqipëri do funksionojnë, do funksionojnë edhe sikur të duhet të punoj çdo natë gjatë qeverisjes së Italisë”, tha ajo.
Kreu i qeverisë italiane thotë se pas vendimit të gjykatës fshihet mafia.
“Do funksionojnë sepse unë do luftoj mafien, dhe i kërkoj gjithë shtetit Italian dhe qytetarëve të ndershëm të më ndihmojnë të luftoj mafien”, theksoi ajo.
Një gjykatë italianë pretendon se në këto kampe shkelen të drejtat e njeriut dhe këtë çështja e ka dërguar për shqyrtim në Gjykatën Europiane të Drejtësisë dhe deri në marrjen e një vendimi, qendrat do qëndrojnë mbyllur. Qeveria italiane dhe ajo shqiptare kanë firmosur një marrëveshje për ngritjen e dy kampeve ku do qëndrojnë përkohësisht migrantët e ndalur në det nga autoritetet italiane.
/rtsh.al/