RTSH 24 Live

Sociale

500 vizita në ditë prej virozave në Durrës, mjekët: Drejtojuni qendrave shëndetësore

17 orë para

500 vizita në ditë prej virozave në Durrës, mjekët: Drejtojuni qendrave shëndetësore

Problemet virale në shëndetin e qytetarëve në Durrës janë rritur ndjeshëm në këtë periudhë.

Teksa shifrat referojnë afro 500 raste në 24 orë në spitalin e qytetit, drejtuesit thonë se situata është nën kontroll.

Nëndrejtori i spitalit, Elton Ceka, thotë se në urgjencën e të rriturve paraqiten 300 persona në ditë, kurse në urgjencën e fëmijëve 200 raste.

"Tendenca dhe prirja e sëmundshmërisë është brenda shifrave dhe pritshmërive të çdo viti," thotë Dr. Ceka.

Edhe pse kjo stinë virozash ka shënuar fluks të shtuar pacientësh që kërkojnë ndihmë, nuk ka pasur situata të rënda shëndetësore.

"Transferimet në qendrat terciare janë minimale," shton nëndrejtori.

Ai kërkon nga ana tjetër që qytetarët me shqetësime që lidhen me gripin duhet të paraqiten fillimisht në qendrat shëndetësore, jo menjëherë në urgjencën e spitalit.

"U bëj thirrje, ju lutem! Mos u paraqisni në urgjencat e spitalit, qoftë për të mëdhenjtë apo të vegjlit, për një temperaturë, ethe, kollë, që mund të menaxhohen lehtësisht në shtëpi deri në një moment të caktuar," apelon Dr. Ceka.

Mjekët këshillojnë të sëmurët të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të mos marrin antibiotikë me iniciativën e tyre personale pa u konsultuar më parë me mjekun.

/rtsh.al/