RTSH 24 Live

Kulturë

50 vjet ansambli “Skënderbeu” - Ditën e shtunë, koncert gala në teatrin e Korçës

23 orë para

50 vjet ansambli “Skënderbeu” - Ditën e shtunë, koncert gala në teatrin e Korçës

Ansambli Skënderbeu i Korçës këtë të shtunë pasdite feston 50 vjetorin e krijimit, përmes një spektakli që do të organizohet në teatrin Andon Zako Çajupi. Në koncertin gala do të marrin pjesë artistët që kanë performuar ndër vite në këtë ansambël.

Moderatore do të jetë Rajmonda Koçibelli, e cila rikthehet pas 34 vitesh në qytetin e saj të lindjes për të prezantuar, ashtu siç ka bërë edhe shumë vite më parë me ansamblin Skenderbeu.

Ansambli Artistik “Skënderbeu” është krijuar në vitin 1974, si ansambël profesionist! Si fillim njihej si ansambli 24 tetori që përkonte me Ditën e Çlirimit dhe me pas u emertua “Ansambli Skënderbeu”.

Të parët që kanë punuar me ansamblin kanë qënë Gjergji Pema, Gëzim Kaceli, Engjëll Tërshana të cilët e përmirësuan cilësinë artistike. Ky ansambël ka funksionuar gjatë viteve për të prezantuar sa më profesionalisht traditën e pasur folklorike të llojeve dhe zhanreve të ndryshme instrumentale, koreografike, veshjeve, zakoneve dhe ritualeve të qarkut të Korçës.

/RTSH/