Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në fjalën e tij për bilancin e punës së Agjencisë së Trajtimit të Pronave, bëri me dije se duke nisur nga dita e sotme (31 dhjetor) 15 mijë individë apo 5.200 familje do të përfitojnë një masë kompensimi prej 30% në kuadër të procesit të legalizimit.
Ministri sqaroi se nga 9.667 subjekte, që në vitet 2010–2024 janë kompensuar në masën 70%, 5.200 prej tyre do të kenë në llogarinë e tyre bankare edhe 30-përqindëshin e mbetur të këstit.
Manja nënvizoi se janë 4.467 subjektet që nuk e përfitojnë këtë masë kompensimi për shkak të mangësive në dokumentacion, por shtoi se me rifreskimin e të dhënave sipas ligjit, ata mund të jenë përfitues vitin e ardhshëm.
“15 mijë individë apo 5.200 familje që duke filluar nga sot do përfitojnë një masë kompensimi për shkak të procesit të legalizimit një vlerë totale prej 30 mln eurosh që qeveria ka akorduar për të mbyllur një pjesë të këtij procesi. Janë 9.667 subjekte të cilët nga 2010-2024 janë kompensuar në masën 70% për shkak të procesit të legalizimeve dhe pjesa tjetër prej 30% e masës së kompensimit nga ky vit është detyrim i shtetit. Bëhet fjalë për 5.200 dosje ish-pronarësh, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Kanë marrë 5 këste në masën 70% dhe kësti i gjashtë 30% do ishte kompensim nga buxheti i shtetit. Sot starton ky proces që do finalizohet ditën e enjte dhe secili nga 15 mijë individët do ketë në numrin e llogarisë masën e kompensimit në vlerë sipas asaj që është llogaritur nga agjencia e trajtimit të pronave.
Në këto 5.200 dosje që përfitojnë këtë masë kompensimi është ndjekur në rend kronologjik nga 2010-2024.
Jo të gjithë subjektet ndër vite që kanë aplikuar dhe kanë marrë masën 70% përfitojnë nga ky kompensim, sepse një pjesë e dosjeve kanë pasur mangësi në dokumentacion që ka të bëjë me revokimi i prokurave, mosdepozitimi në kohë të dëshmive të trashëgimisë, zvogëlim të vlerës nëpërmjet VKM-ve që kanë dalë herë pas herë, por edhe mungesë të rifreskimit të llogarive bankare.
Në 9.667 dosje nga 2010 e deri sot që ishin në pritje të kompensimit të masës 30% të pjesës tjetër të këstit, sot do marrin vetëm 5.200 subjekte apo 15 mijë individë, pjesa tjetër kanë pasur mangësi në dokumentacion. Çka do të thotë që me rifreskimin e dokumentacionit sipas ligjit, vitin tjetër do jenë përfitues të kësaj mase kompensimi”, deklaroi Manja.
/rtsh.al/