Dita e sotme (15 janar) shënon 25 vite nga masakra e Reçakut. Në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.
Krerët e institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në nderim të 25 vjetorit të masakrës së Reçakut. Presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për të vrarët në këtë krim makabër ndaj civilëve të pafajshëm.
“Në masakër ka dëshmitarë të gjallë që përjetuan llahtarinë e asaj dite. Përpos banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore për zbardhjen e autorëve të krimit, kjo masakër pati një kryedëshmitarë që ndodhet me ende edhe në këtë përvjetor. Ambasadori William Walker. Kjo dëshmi e fuqishme i dha kthesë gjithë përpjekjes tonë për liri kundër gjenocidit të Millosheviqit. Thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Kërkimi i drejtësisë është detyrë e shenjë që kapërcen kufijtë, etnitë dhe përkatësitë etnike. Familjet e të masakruarve meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”, tha Osmani.
Ndërsa Kryeministri Albin Kurti, tha se masakra e Reçakut tronditi opinionin ndërkombëtar dhe çoi ndërhyrjen e NATO-s. Ai shtoi se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën mbi këtë ngjarje të rëndë.
“Më 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë, pat ndodhur ky krim makabër ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për kufomat. Edhe 11 ushtarë të UCK-së kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj po e theksoj edhe një herë rëndësinë e vërtetës nga mendja, sytë, veshët dhe goja e ambasadorit William Walker, të cilit i jemi përjetë falënderues e mirënjohës për shkak se në një moment vendimtar historik për popullin tonë e foli të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha ai.
Skenat e tmerrshme të vitit 1999, u bënë jehonë në mediat ndërkombëtare, çka ndikoi në mobilizimin e opinionit publik. Kësisoj, falë publikimit të kësaj masakre dhe ndërhyrjes së qendrave vendimmarrëse në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjenocidi i Serbisë mori fund njëherë e përgjithmonë.
Për këtë fund të krimeve të renda nga Serbia për vrasjen 45 shqiptarëve të pafajshëm, në këtë fshat, Kuvendi i Kosovës shpalli 15 janarin si Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
Prandaj sot, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtohen civilët e vrarë 25 vjet më parë në fshatin Reçak.
/rtsh.al/