Një ngjarje e rendë ka ndodhur në Uzinën ushtarake të qytetit të Gramshit këtë të shtunë, ku të paktën dy ushtarë kanë mbetur të plagosur pasi janë sulmuar nga tre shtetas të huaj, dy rusë dhe një ukrainase.
Ushtarët e plagosur janë dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen në gjendje të stabilizuar, ndërsa Ministria e Mbrojtjes bën me dije se tre shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritete.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ata kanë tentuar të hyjnë në uzinë, por janë përballur me efektivët që ishin në ruajtje të uzinës. Gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj, dy ushtarakët shqiptarë kanë mbetur të plagosur.
Dy rusët dhe gruaja nga Ukraina, të cilët dyshohet se janë agjentë sekret, prej disa ditësh qëndruan pranë Uzinës, ku kanë bërë fotografi, ndërsa përdornin një automjet me targa ukrainase me të cilin qarkullonin në zonë.
Momentalisht nuk bëhen me dije të tjera detaje, teksa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Si ndodhi ngjarja
Rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojës dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij. Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.
Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur
Ndërsa dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
/rtsh.al/