RTSH 24 Live

Kosovë

14 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës

22/07/2024

14 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës

Sot mbushen 14 vjet kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën ishte përgjigje zyrtare ndaj kërkesës për një opinion këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si organ i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Ky ishte rasti i parë në lidhje me një shpallje të pavarësisë që u paraqit para kësaj gjykate.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, publikoi pasditen e datës 22 korrik 2010 opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, z. Hisashi Owada tha mes tjerash se:  Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër gjykata është e mendimit se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas gjykatës nga të gjitha të dhënat del se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe as Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.

Në favor të Kosovës kanë votuar këta gjyqtarë:

Hisashi Owada - nga Japonia, president i GJND-së

Thomas Buergenthal nga SHBA,

Christopher Greenwood nga Britania e Madhe,

Ronny Abraham nga Franca,

Bruno Simma nga Gjermania,

Kenneth Keith nga Zelanda e Re,

Awn Shawkat Al-Khasawneh nga Jordania,

Antônio A. Cançado Trindade nga Brazili,

Abdulqawi Ahmed Yusuf nga Somalia,

Bernardo Sepúlveda - Amor nga Meksika,

KUNDËR

Kundër Kosovës kanë votuar këta gjyqtarë:

Peter Tomka - nënpresident, përfaqësues nga Sllovakia,

Leonid Skotnikov nga Federata Ruse,

Abdul G. Koroma nga Sierra Leone,

Mohamed Bennouna nga Maroku.

 

/rtsh.al/