RTSH 24 Live

Politikë

14 maji/ Kolegji Zgjedhor vendos përsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë

15/06/2023

14 maji/ Kolegji Zgjedhor vendos përsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë

Kolegji Zgjedhor ka vendosur përsëritjen e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Rrogozhinës. Vendimi është marrë këtë të enjte (15 qershor) me shumicë votash nga trupi gjykues prej 5 anëtarësh, pas kërkesës së depozituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve, kërkesë që më parë koalicionit iu refuzua nga KAS.

“Bashkë Fitojmë” bëri ankimim në Komisionin për Ankimimin dhe Sanksionet (KAS) për rezultatin e zgjedhjeve në Rrogozhinë, duke kërkuar rinumërim me arsyetimin se diferenca e votave mes kandidatit të tyre, Shkëlqim Hoxha dhe atij socialist, Edison Memolla ishte vetëm 30 vota. Po ashtu ata kërkuan edhe mos përfshirjen në tabelën përmbledhëse rezultatin e kutive të qendrës së votimit të Burgut të Rrogozhinës, duke pretenduar për parregullsi.

Kjo kërkesë e fundit e “Bashkë Fitojmë” u hodh poshtë nga KAS, ndërsa pas  rinumërimit të votave, fitues mbeti po kandidati socialist, por duke ngushtuar diferencën mes tyre, nga 30 vota në 21 vota.

Pas vendimit të KAS, "Bashkë Fitojmë" iu drejtua Kolegjit Zgjedhor, organi më i lartë i gjykimit të çështjeve zgjedhore, që hodhi poshtë vendimin e KAS, duke pranuar kërkesën e “Bashkë Fitojmë” për mos marrjen në konsideratë të rezultatit të votave të hedhura në qendrën e votimit të Burgut të Rrogozhinës dhe duke çuar në përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë Bashkinë.  

Pas vendimit të KAS, pritet tashmë që KQZ të shpallë një datë për ripërsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë.

/rtsh.al/