Diplomacia shqiptare shënon 112 vjetorin e përkushtimit të saj për të përforcuar interesat kombëtare dhe forcuar rolin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, e ka cilësuar këtë përvjetor një moment historik të angazhimit të vazhdueshëm për interesat kombëtare, paqen dhe sigurinë.
Hasani theksoi rëndësinë e diplomacisë shqiptare, e cila ka kontribuar vazhdimisht në forcimin e pozicionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“112 vite histori, përkushtim dhe krenari në shërbim të diplomacisë shqiptare. Sot shënojmë një trashëgimi të jashtëzakonshme të shërbimit diplomatik, një histori përkushtimi ndaj interesave kombëtare, paqes dhe sigurisë. Me përgjegjësi, ripërtërijmë angazhimin tonë për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe për të mbështetur komunitetin shqiptar kudo në botë”, shkruan Hasani.
Diplomacia e parë shqiptare ka nisur pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Pas shpalljes së pavarësisë, një nga detyrat kryesore të qeverisë së re shqiptare ishte njohja ndërkombëtare dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet e tjera.
Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim ishte dërgimi i delegacioneve shqiptare në shtetet e huaja për të kërkuar njohjen e pavarësisë dhe për të siguruar mbështetje ndërkombëtare. Delegacionet shqiptare, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit dhe liderëve të tjerë të kohës, morën pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), ku u diskutua çështja e kufijve të Shqipërisë dhe statusi i saj ndërkombëtar.
Në vitin 1913, Shqipëria u njoh nga Fuqitë e Mëdha, ndërsa diplomacia u konsolidua me hapjen e ambasadave të para në shtete si Italia dhe Austro-Hungaria.
/rtsh.al/