103 miliardë e 375 milionë lekë ose 5 përqind më shumë fonde se viti i kaluar do të jetë buxheti i shëndetësisë për vitin 2025.
Ministrja e shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë prezantimit të objektivave të financimit tha se ky buxhet do të arrijë mbulimin universal si dhe do të përmirësojë shërbimet.
“Ky buxhet është një hap i rëndësishëm në transformimin e sektorëve të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në Shqipëri dhe synon mbështetje të qëndrueshme për përmirësimin e shërbimeve dhe mbulimin universal të shëndetësisë", tha ministrja ndërsa shtoi se "përmirësimi i pagave dhe kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë do të vazhdojë, duke përfshirë rritjen e pagave për mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët e tjerë të shëndetësisë, si dhe përmirësimin e kushteve të punës për t’u dhënë më shumë dinjitet punonjësve tanë të shëndetësisë”, tha ministrja.
Pom ashtu, në 2025 pritet të financohet për herë të parë edhe paketa e fertilitetit, një investim ky inovator.
“Dua të nënvizoj mbështetjen në 2025 për paketën e fertilitetit që shkon direkt në dobi të çifteve të reja si mbështetje për 150 familje të reja”, tha ministrja.
Sipas ministres Koçiu, mbrotjes sociale i janë dedikuar 300 milion euro ndërsa do të ketë investimin në infrastrukturën shëndetësore, ku janë parashikuar projekte të mëdha si ndërtimi i Spitalit Rajonal në Korçë, rikonstruksioni i spitaleve të tjera, rehabilitimi i 107 qendra shëndetësore si dhe rinovimi i pajisjeve mjekësore për spitalet në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, deputetët e opozitës Tritan Shehu dhe Petrit Vasili thanë se buxheti është antisocial, i varfër dhe pa përgjigje ndaj nevojave ulëritëse që ka sot sistemi shëndetësor.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/