RTSH 24 Live

Kosovë

“Ura e Ibrit duhet të hapet”, ministri Krasniqi: Duhet bashkëpunim ndëretnik në Kosovë

27/07/2024

 “Ura e Ibrit duhet të hapet”, ministri Krasniqi: Duhet bashkëpunim ndëretnik në Kosovë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë Elbert Krasniqi në një intervistë për agjencinë KosovaPress thotë se hapja e Urës së Ibrit do të ishte në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, megjithëse nuk jep asnjë datë se kur mund të hapet ajo urë.

Liria e lëvizjes nuk duhet të ketë përkufizime në asnjë aspekt, as në territorin e Republikës së Kosovës, por edhe më gjerë. Urat janë për t’i bashkuar qytetarët e qytetit dhe jo për t’i ndarë. Ky parim vlen edhe për urën në fjalë, besoj se kemi nevojë për bashkëpunim ndëretnik më shumë dhe jo për ndarje. Koncepti i lirisë së lëvizjes së qytetarëve është ai i cili duhet të na udhëheq dhe secila mundësi që qytetarët të komunikojnë është e mirëseardhur. E gjitha që ka rëndësi është kjo, përfitojnë të gjithë”, u shpreh Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë.

Ndërsa lidhur me vendimin e BE-së për heqjen e vizave për serbët e Kosovës të pajisur me pasaporta të lëshuara nga Serbia, Krasniqi thotë se ndikon negativisht në integrimin e tyre.

Tashmë pasaporta e Republikës së Kosovës është çdo ditë e më e kërkuar nga serbët, jo vetëm në veri të vendit, por gjithandej ku jetojnë serbet në Kosovë. Dhe ky është një veprim i gabuar nga ata që e pranojnë këtë dokument, i cili për Kosovën është dokument ilegal, njëlloj si komunat ilegale edhe kjo pasaportë për Kosovën është ilegale”, u shpreh Krasniqi.

Prishtina zyrtare ka kritikuar vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili miratoi vendimin për t’i hequr vizat serbëve në veri të Kosovës, që janë pajisur me pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd.

/RTSH/