RTSH 24 Live

Aktualitet

“Ukraina: Një krim lufte“, ekspozita me 50 imazhe fotografike në COD

22/02/2024

“Ukraina: Një krim lufte“, ekspozita me 50 imazhe fotografike në COD

Në prag të 2-vjetorit të agresioni Rus në Ukrainë, Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Open Society Foundations, sjellin për herë të parë në Shqipëri, 50 imazhe fotografike nga fronti i luftës. 

“Ukraina: Një krim lufte“ është ekspozita fotografike që përçon për publikun dëshmitë tronditëse të agresionit rus mbi Ukrainë, parë nën lupën e fotoreporterëve nga e mbarë bota që e dokumentuan atë përgjatë vitit të parë.

Ekspozita shoqërohet edhe nga libri me të njëjtin titull i botuar nga FotoEvidence me dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendeve të ndryshme, që paraqesin agresionin rus në Ukrainë.

Pas një thirrje të hapur në mbarë botën, ky grupim mori më shumë se 6000 imazhe nga 120 fotografë që kishin dokumentuar luftën.

Imazhet dhe reportazhet sjellin momentet e konfliktit, katastrofën humanitare dhe hetimet e krimeve të luftës. Aty zbulohet jo vetëm zhvendosja e miliona njerëzve në një realitet drithërues, por edhe historitë e tmerrshme të shkatërrimit dhe viktimave, që do të mbeten gjatë në memorien kolektive të atij kombi, të cilat dalin në pah nga përvoja e terrenit në një zonë lufte, ku të parët që shkelnin territoret e çliruara ishin foto-reporterët e “FotoEvidence”.

“Ukraina: Një krim lufte” shërben si një dokument historik i vitit të parë të kësaj lufte. Në këtë libri rrëmohet thellë në lajmet për të treguar histori intime të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të mizorive.

Ekspozita dhe libri përfshin imazhe në të gjitha aspektet e luftës, nga e gjithë Ukraina, për të nxjerrë një përshkrim gjithëpërfshirës të shkatërrimit, numrin e civilëve viktima të luftës dhe krimet e kryera në tokën ukrainase.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për qytetarët përgjatë datave 22 shkurt – 23 mars 2024.

/ rtsh.al /