RTSH 24 Live

Muzikë

“Tinguj të heshtur”, ekspozohen 32 instrumente të vjetër muzikor të mbledhur prej shekullit të kaluar

07/12/2022

“Tinguj të heshtur”, ekspozohen 32 instrumente të vjetër muzikor të mbledhur prej shekullit të kaluar

Nën titullin “Tinguj të heshtur”, në  një ambient të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, zënë vend 32 instrumente të përdorura ndër vite në Shqipëri, e kryesisht në Malësinë e Tiranës.

“Këta instrumente, prej momentit që kanë hyrë në Arkiv, kanë heshtur, pasi nuk është interpretuar më me ta , ndaj e quajtëm “Tinguj të heshtur” thotë  etnomuzikologia Mikaela Minga, kuratore e ekspozitës.

Shumë prej këtyre instrumenteve përdoret edhe në vende të tjera të Shqipërisë, ndërkohë që harta e përdorimit të tyre është shumë e gjerë. Ajo nis nga Afrika e Veriut në pjesën e Lindjes së Mesme dhe vjen drejt Ballkanit.

Koleksioni i Arkivit  përmban mbi 300 vegla muzikore që kanë nisur të mblidhen a blihen prej fundit të viteve ’40.

“Kemi elementë që lidhen, qoftë me një traditë rituale të zonave rurale, karakteristikë e jetës tradicionale, qoftë me një traditë më moderne, ansamblesh për efekte argëtimi, prej të cilëve është edhe orkestrina popullore, që gjatë periudhës së komunizmit është cilësuar edhe si muzika e Shqipërisë së Mesme”, shton më tej Minga.

Disa janë të importuara e të tjera të prodhuara në vend. Shembull tipikë janë dy violinat popullore, ku njëra prej tyre mendohet të jetë  punuar nga familja Gurra. Si kjo familje, edhe të tjera, krahas prodhimit të instrumenteve edhe i luanin vetë ato. Të paktë janë ata që ia kanë dalë të çojnë para traditën, ndonëse ende mbijeton.

 

/ rtsh.al /