RTSH 24 Live

Kulturë

“Shtëpia e Re”, drama që “hap” dosjet e komunizmit në teatrin “Bylis” të Fierit

12/07/2024

“Shtëpia e Re”, drama që “hap” dosjet e komunizmit në teatrin “Bylis” të Fierit

Ngjarjet e dramës “Shtëpia e Re” zhvillohen në një lagje të re në ndërtim e sipër në kryeqytet. Shtëpitë e reja krijojnë mundësinë e njohjes së dy të rinjve, Kleos dhe Anës, te vilet ëndërrojnë një jetë të re dhe të lumtur. Por linja e parë lirike ndërthuret keqas me linjën prindërore.

Dy të rinjtë, vihen në një situatë tejet të vështirë dhe secili duhet të bëjë një zgjedhje, por ajo mund të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet e tyre. Janë pritur mire nga publiku artdashës,  aktorët pjesëmarrës Gëzim Rudi, Ina Zoto, Donald Shehu, Adelina Muça, Erina Lazi dhe Bajram Dosti

“Për brezin është ndoshta deri diku e kuptueshme megjithatë detyra artistike ka qenë tejet e rëndësishme”, tha Ina Zoto, aktore.

“Është në obligimin tonë që duhet të përgatisim këtë brez të ri i cili të mësojë që edhe historia ka vlerën e vet dhe mbi bazën e kësaj historie ne të ndërtojmë të ardhmen të sigurt”, tha Milto Kutali, Drejtor artistik.

Autori i dramës, Odise Plaku, është rikthyer me këtë vepër në vendlindje në Fier pas dy netëve premiere në teatrin Kujtim Spahivogli në Tiranë.

“Është një kënaqësi e veçantë që të marr duartrokitjet e publikut por është dhe një obligim qytetar që nëpërmjet trajtimit të kësaj teme të bëjmë një homazh për të gjithë intelektualët shqiptar të cilët janë dënuar padrejtësisht”, u shpreh Odise Plaku.

Kjo vepër është e provokuar nga një konstante që edhe sot e kësaj dite shqetëson mbarë njerëzimin edhe pse shoqëritë përpiqen të përsosen në rrafshin civil dhe social, sigurisht ato mbeten të mangëta në raport me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Kjo shfaqje e cila ka gjallëruar jetën kulturore e artistike të Fierit do të pasohet edhe nga aktivitete të tjera ne teatrin Bylis.

/RTSH/