"Shkodra, Qyteti Europian i Sportit 2025" përbën një mundësi e madhe për transformimin e qytetit në një qendër të rëndësishme sportive dhe turistike.
Përgjatë vitit 2025 janë në program për t’u zhvilluar një sërë aktivitetesh sportive në disiplina të ndryshme.
"Në këto aktivitete do të përfshihen shkollat, ekipet dhe kampionatet kombëtare e ndërkombëtare, si 'beach volley' ndërkombëtare në plazhin e Velipojës, kampionati i mundjes, maratona kombëtare," tregon Rudin Beka, zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër.
Mbështetja për grante dhe fonde nga Bashkimi Europian pritet të jenë një shtysë edhe për zhvillimin e infrastrukturës sportive në qytet.
"Brenda shkollave kemi fokus kryesor hapësirat sportive, që do të ndikojnë jo vetëm në këtë vit sporti, por në vazhdimësi për një jetë sa më sportive dhe larg jetës sedentare për të rinjtë," thotë z. Beka.
Të qenët “Qyteti Evropian i Sportit 2025” i sjell disa avantazhe të rëndësishme Shkodrës edhe në aspektin ekonomik dhe turistik.
"Eventet sportive sjellin një të ardhur dy deri në tri herë më të madhe se eventet e tjera të përgjithshme. Kjo na tregon se kemi potenciale të mëdha për të organizuar evente të tilla, kombëtare e ndërkombëtare," shton zv.kryebashkiaku i Shkodrës.
Në dhjetor 2024, Shkodra u shpall “Qyteti Europian i Sportit për 2025” nga organizata ACES Europe.
Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, e bëri të ditur këtë lajm nga Parlamenti Europian në Bruksel, duke theksuar se ky vlerësim do të sjellë përfitime të rëndësishme për qytetin.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/