RTSH 24 Live

Sport

Lamtumirë legjendës Sabah Bizi, mbahen homazhet në mjediset e "Loro Boriçit"

22 orë para

Lamtumirë legjendës Sabah Bizi, mbahen homazhet në mjediset e "Loro Boriçit"

Futbolli shqiptar sot është në zi.

Një ndër legjendat e tij, Sabah Bizi, u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.

Homazhet u mbajtën në hollin e stadiumit "Loro Boriçi", ku të pranishëm ishin familjarë, miq dhe personalitete të sportit dhe jo vetëm, të cilët i shprehën ngushëllimet familjes së ish-futbollistit të Vllaznisë, Partizanit dhe ekipit tonë kombëtar.

"Të flitet për Sabahun duhen ditë e net për karrierën e tij të shkëlqyeshme në futbollin shqiptar e shkodran. Titujt si ai i 'Nderit të Kombit' i ka marrë me djersë e me mund," u shpreh ish-futbollisti i Vllaznisë, Ismet Hoxha.

"Kam pasur shansin e madh që kam luajtur me të vitet e fundit të karrierës së tij, por Sibahu nuk kishte futbolli. Ishte më i miri!" tha ish-futbollisti Hysen Dedja.

"Sabahu ishte një nga talentet më të rralla që mund të ketë pasur futbolli shqiptar," tregoi Iljaz Çeçoja, ish-futbollist i Dinamos.

"Sabah Bizi është 'kajzeri' i futbollit shqiptar. Gjatë një ndeshjeje u vra portieri i Vllaznisë, Paulin Ndoja, një nga gardianët më të shquar të portës shqiptare. Dikush nga shkallët e stadiumit i tha trajnerit me humor 'fut Sabahun, fut Sabahun', në kuptimin që Sabah Bizi luante në çdo pozicion ndryshe nga çdo futbollist tjetër," u shpreh Gëzim Podgorica, nënkryetar i Këshillit Drejtues të RTSH-së.

"Sot është një ditë e trishtuar për gjithë Shkodrën, sportin shqiptar në përgjithësi e futbollin në veçanti. Ai është një figurë e jashtëzakonshme, shembull frymëzues për brezat e rinj. Për të gjithë ne është identiteti i klubit, identiteti i Vllaznisë," tha Alban Xhaferi, president i KF Vllaznia.

Në nderim të Sabah Bizit, ndeshjet e javës së 21-të të Abissnet Superiore do të fillojnë me një minutë heshtje, ndërsa ish-klubet e tij, Vllaznia dhe Partizani, kanë konfirmuar se do të luajnë me shiritin e zi.

/rtsh.al/