RTSH 24 Live

Kosovë

“QUINT-i i shkon në zyrë Osmanit”, marrin pjesë edhe kryeministri Kurti e kryeparlamentari Konjufca

03/04/2024

“QUINT-i i shkon në zyrë Osmanit”, marrin pjesë edhe kryeministri Kurti e kryeparlamentari Konjufca

Ambasadorët e QUINT-it zhvilluan një takim të mërkurën në darkë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Në takim që u zhvillua në presidencë pjesë morën edhe kryeministrit Albin Kurti e kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. Në një njoftim të shkurtër në Facebook, Presidenca tha se temë e takimit ishte synimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk dha më shumë hollësi të tjera.

Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se Prishtina i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. 

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

Serbia ka votuar kundër raportit të Bakoyannis dhe synon ta vazhdojë kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse asaj i kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e vendit fqinj në asnjë organizatë ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen Bazë që palët e arritën në dialogut e ndërmjetuar nga BE-ja në shkurt të vitit 2023.

Gazetar: A. Mata

/RTSH/