Një ndër format më të sigurta dhe më të kërkuara sot në transportin detar është transporti i mallrave me konteinerë.
Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se “në vitin 2023 në portin e Durrësit u përpunuan 184.017 njësi konteinerike”.
“Ky numër i lartë i përpunimit të konteinerëve ka ezauruar kapacitetet ekzistuese të portit aktual duke konfirmuar rëndësinë e ndërtimit të një terminali modern në Porto Romano me dyfishim të thellësisë dhe trefishim të kapaciteteve”, theksoi APD.
Sipas APD-së, gjatë vitit që lamë pas, në terminalin e kontejnerëve, 155 anije kanë sjellë 92,100 TEU, ndërsa 91,917 TEU janë nisur për eksport drejt porteve të huaja, duke shënuar kështu një rritje prej 51,052 TEU më shumë se janar-dhjetori 2022.
Kjo rritje e volumeve të përpunimit në kryeqendrën portuale të vendit konfirmon edhe njëherë vizionin strategjik të qeverisë shqiptare për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto-Romano, i cili do të rrisë ndjeshëm hapësirat dhe kapacitetet e përpunimit të mallrave, duke sjellë një ndryshim thelbësor në modelin e logjistikës dhe tregtisë detare por edhe në gravitetin që infrastruktura portuale ka në ekonominë kombëtare dhe atë rajonale.
/ rtsh.al /