RTSH 24 Live

Kosovë

“Pa dyshim, dielli do të lind përsëri” – Krasniqi viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë

17/04/2024

“Pa dyshim, dielli do të lind përsëri” – Krasniqi viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli që ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi shkruan se ka gjetur ish-krerët e UÇK-së me moral të lartë dhe me besim të patundur në të drejtën e tyre.

“Keni të fala të gjithë, pa përjashtim, nga çlirimtarët tanë. Pa dyshim, dielli do të lind përsëri”, shkroi Krasniqi.

“Pas gati gjashtë muajsh, sot vizitova përsëri Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli në Hagë. I gjeta ashtu siç i kisha lënë herën e fundit: me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Kosovës dhe në të drejtën e luftës së shenjtë të popullit tonë për liri”, shprehet Krasniqi.

Sipas tij, pavarësisht kufizimeve në lirinë fizike, shpirti i tyre qëndron i pathyer.

Ai shton se kurajoja dhe qëndrimi i tyre i fortë janë prova të qarta të vendosmërisë dhe forcës së tyre morale që do të mbeten të pandryshuara deri në “ditën e madhe të rikthimit në atdhe”.

Krasniqi thekson gjithashtu se situata e të paraburgosurve rikujton vazhdimisht sakrificat dhe çmimin e lartë që populli kosovar ka paguar për lirinë, një çmim që ende vijon të paguhet pas 25 vjetësh nga përfundimi i luftës.

 

/rtsh.al/