RTSH 24 Live

Sociale

“Marubi i Sarandës” - Momente dhe personazhe të fiksuara nga fotografi Luan Qëndro

12/02/2024

“Marubi i Sarandës” - Momente dhe personazhe të fiksuara nga fotografi Luan Qëndro

Luan Qendro ka një jetë me fotografinë. Nga objektivi i aparatit të tij fotografik ka parë gjithë etapat e historisë së Sarandës, nga koha e barakave buzë detit, te shumëkatëshet e sotme. Në filmotekën e tij gjendet jeta dhe personazhet e të gjitha kohërave. Një pasuri e tërë në celuloid. Prandaj atij i thonë “Marubi i Sarandës”.

E nisi si ndihmës disenjator te reparti i pikturës në shërbim të Estradës Profesioniste të Sarandës. E çuan në një kurs për kinomekanik, por fotografia do të bëhej zanati i tij.

Ka kaluar nëpër duar 31 lloje aparatesh, prodhim nga më profesionalët e të gjitha kohërave, deri tek ata të sotmit, të teknologjisë dixhitale, me kartë memorje. Qëndro shprehet se fotografia bardhezi është dashuria e tij. Për këtë dashuri na flet pranë aparatit të stampimit manual, që është i vetmi në rajonin më jugor.

Puna e tij si fotograf përbën historinë e jetës ushtarake në këtë rajon, pasi deri në vitin ‘90, shkonte repart më repart e event më event. Në dekadat më pas aparatin nuk e hoqi nga qafa. Ai vazhdon të fiksojë momente të bukura dhe personazhe tipikë të këtij qyteti.

Pasuria e tij janë bobinat e filmave bardhezi me 600 mijë negativë dhe 100 mijë dixhitalë. Prej kësaj pasurie, më shumë se 400 copë i ka dixhitalizuar dhe i mban të konservuar e të skeduar në kuti të posaçme, që hapen me kode që vetëm ai i di.

Luan Qendro është nderuar me dy çmime ndërkombëtarë në konkurse kombëtarë për fotografinë, ndërkohë që më 2016 iu dorëzua Medaljoni “Artisti Fotograf i gjysmëshekullit”.

RTSH