RTSH 24 Live

Televizion

"Marrëdhënia me prindërit dhe mësuesit", emisioni “Po sikur” starton në RTSH

15/05/2024

"Marrëdhënia me prindërit dhe mësuesit", emisioni “Po sikur” starton në RTSH

"Marrëdhënia mes prindërit dhe mësuesit" ka ngritur siparin e ciklit të emisioneve "Po sikur" në RTSH, drejtuar nga Valbona Selimllari. Ky program i ideuar nga Valbona Selimllari i dedikohet adoleshentëve dhe çdo gjëje që ata përfaqësojnë.

Marrëdhënia mes prindërit dhe mësuesit me të rinjtë, përveç debateve që natyrshëm vijnë mes ballafaqimit të brezave, ka qenë një arenë e fjalës së lirë, ku është diskutuar për këtë problematikë të mprehtë mes një ballafaqimi të një grupi prej 40 të rinjsh me personalitete në fushat profesionale, por edhe prindër e mësues njëkohësisht.

Të ftuar në studio, për të trajtuar këtë çështje, përveç grupit të të rinjve ishin edhe Enkeljda Olldashi, pedagoge; Elga Mitre, aktiviste; Dhurata Gazulli këshilltare pranë GIZ; Ola Derhemi, ekonomiste; Eralda Bejleri mësuese; Semiramida Lula, drejtoreshë tek shkolla “Mustafa Grebelleshi”; Zyber Hasa, muzikant; Lindita Fejzo mësuese. 

Selimllari u shpreh se një marrëdhënie prindër fëmijë është e bukur, por shumë e vështirë dhe se është shkollë më vete.

Sipas saj, kur vë rregulla me fëmijët duket sikur ka një problem të madh, por kur flet me ta, janë ata vetë që vendosin rregulla, të cilat si pranojnë kur ua themi.

Ndërsa të ftuarit në studio nënvizuan se në marrëdhëniet prindër fëmijë nuk ka lider, por bashkëpunim mes tyre dhe kjo është rruga më e mirë.

Ata u shprehën se duhet konsideruar si një marrëdhënie e barabartë.

Ndërsa të rinjtë në studio u shprehën se do të donin të mbanin vetë përgjegjësi, por edhe prindërit duhet kenë përgjegjësi, pasi marrëdhënia fëmijë- prind është delikate, por duhet të jetë mirëkuptuese.

Tema që ngjalli debat ishte dhe çështja nëse prindërit duhet apo jo që të projektojnë tek fëmija atë që vetë prindërit nuk e kanë arritur. Të rinjtë ishin të mendimit se edhe prindërit nuk duhet të jenë egoistë, pasi prindërit kanë qenë fëmijë dhe kanë përvojë dhe mbase nuk kanë arritur qëllimet, ndërsa fëmijët ende nuk janë bërë prindër.

Pika që kishte një lloj ‘dakordësie’ kishte të bënte me argumentin se ka këshilla të trashëguara brez pas brezi, që nuk janë të shkruara, por kanë rezistuar sepse vijnë në mënyrë natyrale, por që duhen përshtatur dhe me dinamikën e kohës.

/rtsh.al/