RTSH 24 Live

Kosovë

Lumir Abdixhiku rizgjedhet kryetar i LDK-së me 332 vota

19/11/2023

 Lumir Abdixhiku rizgjedhet kryetar i LDK-së me 332 vota

Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, unanimisht ka rizgjedhur, Lumir Abdixhikun në krye të LDK-së edhe për një mandat katër vjeçar. 332 delegatë më të drejtë vote, votuan pro Abdixhikut.

Pas rizgjedhjes si kryetar i partisë, Abdixhiku tha se do të ushtrojë këtë detyrë me sjellje rugoviste.

“Ju faleminderit të gjithëve për këtë nder dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme që ma dhatë sot. Do të ushtroj këtë detyrë e këtë përgjegjësi me sjellje rugoviste në besim në LDK, në besim në anëtarësinë tonë”, tha ai.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur edhe për punën që është bërë në këtë parti dhe rezultatet që janë arritur në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtur në Kosovë. Ai theksuar se pas zgjedhjeve lokale janë marrë me çështje të brendshme të partisë.

Abdixhiku uroj delegatët e përzgjedhur për detyrën dhe përgjegjësinë që e kanë marrë, duke ju thënë se “keni marrë më të shenjtën dhe njëkohësisht me të shtrenjtën, besimin e anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

“Keni marrë detyrën e dërgimit të kësaj përgjegjësie drejt organeve të reja të partisë për t’i dhënë prirje e orientim gjatë katër viteve të ardhshme, jo vetëm LDK-së por edhe gjithë Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai tha se zgjedhjet në LDK janë gjithmonë festë, sepse sipas tij ato manifestojnë vetë themelin e besimit ideologjik të LDK-së. Sipas, tij LDK programin politik e mban program kombëtar për Kosovën. Abdixhiku tha se LDK është rizgjuar edhe në mërgatë.

Tutje, kreu i LDK-së tha se niveli i masivizimit demokratik është shenjë e një thirrje e një kushtrimi të anëtarësisë si pritje e tyre ndaj secilit prej nesh, duke cituar se pritjen duhet ta ushtrojnë secili nga si të djathtë, patriot e besimtar të republikës e mbi të gjitha si ndjekës të denjë të arkitektit të republikës atit themeltar të Kosovës, ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Sipas tij, projekti identitar i LDK-së është, një Kosovë e pavarur e sovrane e anëtarësuar në NATO dhe BE e me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës..

“Kemi thënë se zgjedhjet në LDK janë festë, janë festë sepse manifestojnë themelin e vetëbesimit tonë ideologjik. Atë të shprehjes e demokracisë, një vlerë e marrë si e mirëqenë për grupimin tonë politik por më besoni më e domosdoshme sidomos në këtë kohë. Ky nivel i masivizimit demokratik, është shenj e një thirrje e anëtarësisë si pritje e tyre ndaj secilit prej nesh”, tha ai.

Duke shtuar se dy vite më parë kishte marrë përgjegjësinë më të madhe jetësore, atë të prirjes së LDK-së.

“Dy vite më parë po qëndroja para jush me zotimin e një gjetje të rrugës përpara. Dy vite e gjysmë qëndroj me bindje të plotë se kemi arritur rrugën e ringritjes sonë që besonim të gjithë, na gjeti sepse kemi ecur mbarë. Dy vite më parë u gjendëm para një sfide të pazakontë për ne dhe për vetë Republikën, të dalë nga një rezultat zgjedhor që tregonte si më i ulëti historik, të përballur me populizmin e përmasave të paarritura më parë”, u shpreh Abdixhiku.

Në këtë kuvend po merr pjesë edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl. Abdixhiku e falënderoi atë për punën që ka bërë në të mirë të Kosovës.

/rtsh.al/