Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërcënuar Hamasin me pasoja të paimagjinueshme nëse nuk liron pengjet e mbetura në Gaza, ndonëse nga ana e tij Hamasi ka shprehur gatishmërinë për lirimin e tyre në fazën e dytë të armëpushimit.
"Unë i them Hamasit: nëse nuk i lironi pengjet tanë, do të ketë pasoja që as nuk mund t'i imagjinoni", kërcënoi kryeministri izraelit, i cili u qortua nga të afërmit e pengjeve, gjatë një seance parlamenti të mbushur me incidente.
Hamasi, nga ana e tij, fajëson për "kolapsin" e armëpushimit qeverinë izraelite, e cila që nga e diela (2 mars) ka ndaluar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Hamasi këmbëngul në zbatimin e dy fazave të mbetura sipas marrëveshjes fillestare, e cila u përfundua në negociatat indirekte të ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe SHBA. Faza e dytë, vëren ai, parashikon një "armëpushim total dhe të përhershëm" dhe një "tërheqje të plotë" të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës. Faza e tretë parashikon “rindërtimin dhe heqjen e rrethimit” të enklavës së vogël bregdetare.
Këtë të martë po mbahet një samit i jashtëzakonshëm arab në Kajro për të shqyrtuar një plan për të ardhmen e Gazës, një alternativë ndaj atij të presidentit amerikan, që shkaktoi një protestë në nivel ndërkombëtar.
/rtsh.al/