Partia Demokratike kërkoi të dielën zyrtarisht që “Giro d’Italia” e planifikuar që të zhvillohet në Shqipëri më 11 maj 2025, të shtyhet. Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli kërkoi që të negociohen data të tjera për zhvillimin e “Giro d’Italia”, nisur nga fakti se 11 maji është dita e zgjedhjeve dhe Policia e Shtetit duhet të jetë në gadishmëri të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Sipas Vangjelit, edicioni i 108 i “Giro d’Italia”, që do të zhvillohet në Shqipëri në maj i kushton vendit tonë 7 milionë euro, shumë e cila do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
“Më herët është alokuar fondi 1 milion euro për organizatorët, ndërsa në datën 6 mars u miratua fondi 4 milionë euro për financimin e këstit të dytë të kontratës për realizimin e tri tureve të para të ‘Giro d’Italia 2025’ dhe diferenca pritet të akordohet në vijim. Itinerari i eventit përfshin qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës dhe nis në datën 9 maj, e vijon në datat 10 dhe 11 maj. Kjo është e fundit ditë që përkon me datën e dekretuar nga Presidenti për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Në kuadër të zhvillimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm për shqiptarët, PD vlerëson se data 11 maj është e papërshtatshme për zhvillimin e garave të çiklizmit.”, tha Vangjeli.
Sipas saj, në këto kushte, Partia Demokratike kërkon të negociohen data të reja për zhvillimin e këtij eventi duke qenë se strukturat mbështetëse të këtij eventi kulturor ku përfshihet edhe Policia e Shtetit duhet të jenë në gatishmëri të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
/rtsh.al/