RTSH 24 Live

Kulturë

''Frymëzimi më vjen nga Shqipëria'', kantautori Ermal Meta në intervistë nga Salloni i Librit në Torino

22/05/2023

''Frymëzimi më vjen nga Shqipëria'', kantautori Ermal Meta në intervistë nga Salloni i Librit në Torino

Nuk ka munguar në Sallonin e Librit në Torino, kantautori italo-shqiptar, Ermal Meta, që pati një diskutim të gjerë përballë një publiku të gjerë për romanin e tij, “Domani e per sempre“ (Sot e përgjithmonë), që i vendos ngjarjet në Shqipëri gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Libër që ai e paraqiti edhe në botimin shqip në Tiranë. Shtëpia italiane që boton Ermal Metën, La nave di Teseo, (Anija e Teseos), publikon edhe veprën e Kadaresë në italisht, e ky i fundit përshëndeti takimin dhe panairin e librit me fjalët:

“Shqipëria është shtet i vjetër europian, i shek 15, e këtë nuk e themi as ne, por s’na e thonë as të tjerët dhe kjo s’është e drejtë. Ka qenë ndër shtetet e para që botonte letërsi në latinisht dhe shqip e për këtë duhet të jemi krenarë e të kemi shpresë. Gjithçka e mirë që i vjen Shqipërisë i vjen nga afrimi me shtetet e tjera europiane“, tha Kadare.

Ermal Meta në një dialog të hapur me lexuesit e tij u shpreh se veprat e tij më të bukura dhe të rëndësishme janë frymëzuar nga Shqipëria.

Në rrugëtimin tim vetjak, nëse do kisha thënë: Mjaft me kaq, asnjë s’do më thoshte: E ke gabim, por vazhdova të ecja para, duke besuar se do të ndodhte diçka ndryshe. Ky ndryshim mund të ndodhë, jo nëse beson tek ajo që je, por nëse beson tek ajo që do të bëhesh. Çfarë jemi sot, nuk ishim dje e nuk do të jemi nesër, sepse jemi në ndryshim të vazhdueshëm.

Të besosh tek ajo që do të bëhesh, është çelësi që qëndron në bazën e historisë së këtij libri. Është edhe ndjenja ime e fortë e fajit, pse ika nga vendi që ishte imi dhe është ende. Është dëshira për të paguar këtë borxh, një borxh emocionesh, frymëzimi. Dhe vë re që këngët më të bukura që kam shkruar kanë marrë udhë aty. Të gjitha herët.

Kur shkrova në vitin 2007 këngën “Historia e një përalle“ ndjeva se kishte diçka ndryshe, kënga “Vietato morire“ (E ndaluar të vdesësh) në vitin 2016 rrotullohej po aty. Një natë të prillit 2020 nisa këtë libër, “Nesër e përgjithmonë”, po mbi Shqipërinë. Këto tre hapa kanë qenë të rëndësishëm për të më bërë ai që jam sot dhe për të kuptuar c’dua të bëhem pas një viti. A të bëjnë të ndihesh më vulnerabël? Po. Shumë", tha Meta.

Nëse në edicionin e kaluar të panairit të Torinos, kur libri “Nesër e përgjithmonë“ sapo ishte botuar Ermali kaloi 5 orë duke vënë autografë e bërë foto me fansat e tij, këtë herë afro dy orë të mira.

Gazetare: Magdalena Alla

/RTSH/